Pjesë të Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë janë shembur të hënën e datës 20 tetor, ndërsa kanë filluar punimet për sallën e re të ballove të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të cilën ai tha se po “modernizohet tërësisht”.
Presidenti kishte deklaruar më herët se shtesa e tij për një sallë vallëzimi, me kosto 250 milionë dollarë do të ishte “pranë” strukturës ekzistuese, por nuk do ta ndryshonte atë.
“Nuk do të ndërhyjë në ndërtesën aktuale. Do të jetë afër, por pa e prekur dhe do të respektojë plotësisht ndërtesën ekzistuese, të cilën unë e dua shumë,” tha Trump në korrik, citon BBC. “Është e preferuara ime. Është vendi im i preferuar. E dua.”
Trump njoftoi nisjen e ndërtimit përmes një postimi në rrjete sociale, duke thënë se “puna ka nisur” për këtë hapësirë “shumë të nevojshme” për sallë vallëzimi.
“Për më shumë se 150 vjet, çdo president ka ëndërruar të ketë një sallë vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë për të pritur njerëz për festa madhështore, vizita shtetërore, etj.”, shkroi ai.
Ai tha se projekti po financohet privatisht nga “patriotë shumë bujarë”, por identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura ende, pasi Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar emra.
Shtëpia e Bardhë ka shërbyer si rezidenca historike e presidentit amerikan për dy shekuj. Krahu Lindor u ndërtua në vitin 1902 dhe u modifikua për herë të fundit në vitin 1942.
Trump shkroi në postimin e tij se Krahu Lindor është “krejtësisht i ndarë” nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse është fizikisht i bashkangjitur me strukturën kryesore.
Hyrja e mbuluar, që shtrihet në pjesën më të madhe të anës jugore të Krahut Lindor, dukej sikur po boshatisej krejtësisht, me mbetje betoni dhe kabllo metalike që dukeshin qartë nga disa qindra metra larg.


