Punëtori humbi jetën në objektin në ndërtim në Durrës, 3 të arrestuar, ngjarja cilësohet aksident

schedule11:02 - 9 Maj, 2022

schedule 11:02 - 9 Maj, 2022

Vetëm në harkun e 40 ditëve në qytetin e Durrësit kanë humbur jetën tre persona si pasoje e mungesës së kushteve teknike në punë.

Rasti fundit u shënua paraditen e së shtunës në një kantier ndërtimi në zonën e Spitallës në Durrës, ku po ndërtohen shtëpi të banoreve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Genci Spaho, 51-vjeç, babai i dy vajzave, i cili kishte rreth tre jave që ishte punësuar në kompaninë e ndërtimit është rrëzuar nga objekti. Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Durrësit dhe më pas drejt spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar por nuk mundi t’u mbijetonte dëmtimeve të shumta që kishte marrë në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë.

Për këtë ngjarje Drejtoria Vendore e Policisë së qytetit të Durrësit, ka arrestuar shtetasit Leonart Pule, Enea Xoxi dhe Rauf Kaci për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë familjarët jashtë kamerave thonë se do të ndjekin rrugë ligjore për të zbuluar të vërtetën.

Sipas familjarëve, në kartelën e vdekjes është shënuar sikur 51-vjeçari ka humbur jetën si pasoje e një aksidenti, ndërsa theksojnë se ka vdekur teksa po punonte si pasojë e mungesës së kushteve teknike.

Sakaq në datën 30 mars teksa ishte duke punuar në kompaninë e të atit të tij u aksidentua dhe humbi jetën 30-vjeçari, Elion Dervishi. Ndërsa më datë 15 prill në sheshin e kontejnerëve në portin e Durrësit humbi jetën pasi u përplas nga vinçi punëtori i ngarkim shkarkimit Rufan Belshaku, 19 vjeç. Për këtë aksident policia arrestoi tre persona: Nazmi Varakun, Rendi Biçakun dhe Bledar Troplinin të cilët akuzohen për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!