Punëtorët dhe aktivistët në Europë dhe Azi protestojnë për 1 Maj, kërkojnë rritje pagash dhe siguri në punë

schedule14:24 - 1 Maj, 2024

schedule 14:24 - 1 Maj, 2024

Punëtorët dhe aktivistët në të gjithë Europën dhe Azinë dolën në rrugë të mërkurën për të shënuar Ditën e 1 Majit me protesta kundër rritjes së çmimeve dhe politikave qeveritare të punës dhe thirrjeve për të drejta më të mira.

Policia në Stamboll përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra njerëz që po përpiqeshin të çanin një barrikadë dhe të arrinin në sheshin kryesor Taksim të qytetit.

Qeveria e Presidentit Recep Tayyip Erdogan ka shpallur prej kohësh ndalimin për mitingje dhe demonstrata për arsye sigurie, por disa parti politike dhe sindikata janë zotuar të marshojnë në shesh, i cili ka vlerë simbolike për sindikatat.

Në vitin 1977, persona të armatosur të paidentifikuar hapën zjarr në Taksim, duke shkaktuar një rrëmujë dhe duke vrarë 34 njerëz. Të mërkurën, policia ngriti barrikada dhe mbylli të gjitha rrugët që të çojnë në sheshin qendror të Stambollit.

Transporti publik në zonë ishte gjithashtu i kufizuar. Vetëm një grup i vogël përfaqësuesish të sindikatave u lejuan të hynin në shesh duke vendosur një kurorë në një monument në kujtim të viktimave të incidentit të vitit 1977.

Në Athinë, disa mijëra protestues iu bashkuan marshimeve të 1 Majit, pasi grevat e lidhura me punëtorët ndërprenë transportin publik dhe shërbimet hekurudhore kombëtare në të gjithë Greqinë.

Grevat mbarëkombëtare u drejtuan nga sindikata më e madhe e vendit, e cila ka kërkuar një kthim në negociatat kolektive pasi të drejtat e punës u hoqën gjatë krizës së rëndë financiare të Greqisë 2010-18.

Në Paris, protestuesit u mblodhën në Place de la Republique për të marrë pjesë në një marshim të udhëhequr nga sindikatat kryesore të Francës, duke kërkuar paga dhe kushte më të mira pune.

Grupet pro-palestineze dhe aktivistët kundër Olimpiadës pritet t’i bashkohen marshimit nëpër kryeqytetin francez.

Situate në Francë mbetet e tensionuar, me protesta nga mësuesit, oficerët e policisë dhe fermerët pas demonstratave të mëdha vitin e kaluar kundër rritjes së moshës së daljes në pension.

Në Indonezi, punëtorët shprehën zemërim ndaj një ligji të ri që ata thanë se shkel të drejtat e tyre dhe dëmton mirëqenien e tyre dhe kërkuan mbrojtje për punëtorët migrantë jashtë vendit dhe një rritje të pagës minimale.

Mijëra punëtorë nga  Xhakarta, Bogor, Depok, Tangerang dhe Bekasi pritej të bashkoheshin me marshimet në kryeqytet, tha Said Iqbal, presidenti i Konfederatës së Sindikatave Indoneziane.

Në Seul, kryeqyteti i Koresë së Jugut, mijëra protestues valëvitën flamuj,duke mbajtur në duar slogane pro-punëtorëve në fillim të një mitingu të mërkurën. Organizatorët thanë se tubimi kishte për qëllim të rriste kritikat e tyre ndaj asaj që ata i quajnë politika kundër punëtorëve të ndjekura nga qeveria konservatore e udhëhequr nga presidenti Yoon Suk Yeol.

Anëtarët e sindikatave të KCTU dënuan veton e Yoon në dhjetor të një projektligji që synon kufizimin e të drejtave të kompanive për të kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga grevat e sindikatave.

Në Japoni, më shumë se 10,000 njerëz u mblodhën në parkun Yoyogi në qendër të Tokios, duke kërkuar rritje të rrogave, Gjatë tubimit, Masako Obata, kreu i Konfederatës Kombëtare të Sindikatave me prirje të majtë, tha se ulja  e pagave i ka bërë kushtet e jetesës më të vështira për shumë njerëz dhe ka shtuar pabarazitë e të ardhurave.

Në kryeqytetin e Filipineve, Manila, qindra punëtorë dhe aktivistë të krahut të majtë marshuan dhe mbajtën një tubim duke kërkuar rritje të pagave dhe sigurinë në vendet e punës.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!