Mbrëmjen e kësaj të mërkure, “Qytetarët” e Manchester City do të udhëtojnë drejt transfertës së “Goodison Park”, aty ku i presin “Blutë” e Everton, në përballjen e vlefshme, për javën e 19-të dhe të parafundit për këtë vit kalendarik, të kampionatit anglez të futbollit, Premier League.
Djemtë e teknikut Pep Guardiola vijnë në këtë transfertë pas fitimit të finales së Botërorit të Klubeve, ku mundën me rezultatin e thellë 4 me 0, mirëpo duket se ky trofe do të jetë ndër të fundit, që “Qytetarët” mund të fitojnë nën drejtimin e spanjollit, i cili gjatë konferencës ka nënkuptuar se ku mund të jetë sezoni i tij i fundit, në “Etihad”.
“Mendoj për pesë titujt e Premier League, katër EFL Cup, dy FA Cup dhe të gjitha gjysmëfinalet në të cilat ne bëmë shumë mire. Është bukur të shohësh të pesë trofetë tani dhe njerëzit duke bërë foto.
Më pas e kupton se çfarë pune dhe përpjekje që është bërë. Kam ndjesinë se puna ka përfunduar. Po mendoja për të kur fituam Champions League, por më pas morëm Superkupën, që nuk e kishim, Kupën e Botës për Klube që nuk e kishim. Tani kemi gjithçka.
Tani është koha për të shkuar në librari për të blerë një libër të ri dhe për ta shkruar nga e para. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Arsyeja pse jemi këtu, nuk është Stambolli apo Inter. Është Monaco, është Liverpool, është Tottenham, është Lyon, është finalja e Champions League e humbur përballë Chelsea, minuta e fundit kundër Real Madrid.
Më dhimbte në atë kohë, por tani na ndihmon, na ndihmoi të fitonim kundër Inter. Është një provë e një klubi që nuk ishte mësuar kurrë të fitonte. Real Madrid, Bayern, Barcelona, klubet e mëdha janë mësuar me këtë. Por ishte e gjitha e re për ne”,- u shpreh tekniku spanjoll, gjatë konferencës për shtyp. /i.m /abcnews.al