Është publikuar dhe videoklipi shumëngjyrësh i këngës së kampionatit botëror të futbollit, Rusi 2018. Himni i këtij edicioni këndohet nga Era Istrefi, Nicki Jam dhe Will Smith.
Publikimi i saj në versionin audio u prit shumë mirë nga publiku, duke marrë mbi 17 milionë shikime në vetëm dy javë. Një sukses i vërtetë ky i këngëtares shqiptare nga Kosova, Era Istrefi, në bashkëpunim me Nicky Jam dhe Will Smith. Treshja tashmë ka goditur mjaft mirë në treg me kolonën zanore që do të shoqërojë evenimentin më të rëndësishëm të furbollit botëror, kampionatin “Rusi 2018”.
Pas audios, tashmë është publikuar edhe version video i këngës të konfirmuar si një ndër hitet kryesore të kësaj vere. Xhirimet e klipit janë bërë shumica në Rusi, ku Era Istrefi shpalos edhe aftësitë e saj në kërcim.
Këto janë momentë mjaft të rëndësishme për artistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Në një kohë shumë të shkurtër, në tregun global janë konfirmuar këngëtarë si Rita Ora, Ermal Meta, Dua Lipa dhe Elvana Gjata. Ndërkohë, një muaj më parë, Dua Lipa ndezi stadiumin e Kievit me hitet e saj në finalen për Ligën e Kampionëve, një event tjetër futbollistik shumë i rëndësishëm./abcnews.al