Publikohet draft statuti i asociacionit/ Prenkaj: Problematike, mënyra se si do të funksionojë. Shkëputet nga korniza ligjore e Kosovës

schedule16:24 - 16 Nëntor, 2023

schedule 16:24 - 16 Nëntor, 2023

ABC News ka siguruar draft statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Drafti prej 32 faqesh, i cili iu është paraqitur palëve në Prishtinë dhe Beograd, parashikon një president, zëvendës president, kuvendin e vet dhe do të funksionojë si një agjenci qeveritare.

Diplomati Albert Prenkaj, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, theksoi se disa elemente të propozuara paraqiten problematike për Republikën e Kosovës.

“Sipas klauzolave që paraqiten në këtë statut, janë disa elemente që paraqesin problem në vazhdimin e qeverisjes së një shteti të vogël me një autonomi që i ofrohet komunitetit serb në Kosovë. Jo vetëm struktura e këtij asociacioni, që ka një president, bord udhëheqës dhe kuvend por edhe klauzola të cilat formulojnë mënyrën se si do të veprojë janë problematike për një Kosovë si një shtet i ri dhe me demokraci të re. Disa elemente mund të shkaktojnë problem. Një prej tyre është elementi i një arbitrashi në momentin ku institucionet e Kosovës, shteti i Kosovës që ka të gjithë institucionet e nevojshme për funksionim dhe të pavarura, siç është ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori. Ne kemi një trup të ri, që ka institucionet e njëjta, me përgjegjësi më të ulëta mirëpo kur ka mosmarrëveshje mes institucioneve qendrore dhe këtij asociacioni, atëherë paraqitet një institucion arbitrazhi, i cili është i pavarur ku do të marrin pjesë edhe ndërkombëtarët.”, theksoi ai.

Një tjetër problematikë që ai përmendi është edhe përfshirja e sistemit paralel, gjë që sipas tij, do të bëjë që lidhja me institucionet e Kosovës të jetë inekzistente.

“Probleme të tjera që mund të adresojmë këtu janë edhe inkorporimi i sistemit paralel. Sistemi paralel që ka funksionuar deri më tani, që për Kosovën ka qenë i papranueshëm dhe në marrëveshjet e 2013 dhe 2015, ka qenë subjekt i largimit dhe i inkorporimit të serbëve të Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës. Kjo ka ndodhur në komunat me shumicë serbe. Ata kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale sipas ligjeve të Kosovës, ka funksionuar gjykata dhe prokuroria sipas ligjeve të Kosovës, policia po ashtu, dhe ndërkohë Serbia s’e ka bërë të mjaftueshme që të shpërbëjë institucionet paralele. Tani jemi në një pozitë, ku në një statut të negociuar, në pushtet në Kosovë është pranuar sistemi paralel që do të komunikojë me Beogradin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe lidhja me institucionet e Kosovës është e plogësht, ose lidhje inekzistente. Dhe kjo do të zgjasë 3 plus dy vite dhe për pesë vite dhe më pas do të rinegociohet se si do të ndodhë inkorporimi i sistemit paralel.“, shtoi ai.

Sipas dokumentit, asociacioni është një ent juridik i posaçëm i krijuar sipas të drejtës publike i krijuar sipas Lex specialis. Diplomati tha se kjo nënkupton se është një “agjension i vecantë që do të operojë sipas një ligji të veçantë, i cili e shkëput këtë ent apo institucion, tani edhe ekzekutiv, nga korniza ligjore e republikës së Kosovës.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!