Pse u zgjodh Shqipëria për samitin BE-Ballkani Perëndimor? Analistët në “Log.”: Shihet si faktor stabiliteti në rajon

schedule21:33 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 21:33 - 2 Dhjetor, 2022

“Pse u zgjodh Shqipëria” për tu zhvilluar samiti BE-Ballkani Perëndimor”, kjo ishte një nga pikat e diskutimit në studion e “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo.

Për të folur për këtë temë ishin të ftuar analistët Mentor Nazarko, mentor Kikia, Neritan Alibali dhe Lorenc Vangjeli.

Analistët ishin të një mendimi se një nga arsyet që u zgjodh Shqipëria vjen për shkak se shihet si faktor stabiliteti në rajon.

Ndërsa një tjetër arsye sipas tyre ishte se Shqipëria shihet si një barrierë e depërtimit rus në Ballkanin perëndimor, ndryshe nga Serbia e cila shpesh luan me dy porta.

Pjesë nga biseda:

Xhafo: Çdo të thotë ky samit për Shqipërinë?

Nazarko: Edhe në vendet e lindjes që janë pjesë e BE-së, samite të tilla ku kanë filluar si traditë të bëhen janë bërë vetëm dy, në Pragë dhe Poloni. Në Ballkan ky është i pari. Unë mendoj që simbolika është e rëndësishme në kuadër të luftës në Ukrainë, kjo tregon se Ballkani është nën mbikëqyrjen e BE. Ky samit është shprehje e rëndësisë së shqiptarëve si komb, ata që e kanë ideuar janë të vetëdijshëm për atë që qeveria shqiptare merr benefitet e veta. Në të gjitha aktivitete që palët i drejtohen mediave në qendër do të ketë kryeministri i Shqipërisë, kjo do të jetë një mundësi dhe për show. Kjo është pjesa që nuk i pëlqen zotit Berisha, është një përpjekje për vizbilitet.

Xhafo: Pse Shqipëria?

Nazarko: Shqipëria sepse ka rol konstruktiv në rajon, për shkak të pranisë së shqiptarëve në të gjithë shtete e rajonit, ka një përqindje të popullatës që është pro perëndimore. Nuk mund të bëhej në Serbi, as mal të zi, as Maqedoni. Shqipëria plotëson ca kushte më tepër se të tjerët.

Alibali: Kjo nuk është dhuratë për Shqipërinë. Në samitin e fundit BE-Ballkani perëndimor, u kërkua që BE të jetë më afër rajonit. Këto janë samite që duhet të jenë të përvitshme., mendoj se u zgjodh Shqipëria për shkak të rendit alfabetik, vitin tjetër do të jetë në Sarajevë. Unë mendoj që rajoni nuk do ketë integrim të veçantë, mendoj që i gjithë Ballkani perëndimor, integrimi të bëhet i plotë, kjo edhe për faktin se për shkak të ndryshimeve gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë, prevalon në politikat e BE, prevalon siguria se sa çështjet e tjera. Edhe kërkesa për të përcaktuar një deadline, një moment përfundimtar për të gjithë Ballkanin Perëndimor që do të integrohet në BE në vitin 2030, është kjo kërkesë e BE-së, për ta çliruar Ballkanin nga influencat ruse dhe kineze.

Xhafo: Pse Shqipëria?

Kikia: Pse Shqipëria? Unë mendoj që Serbia ka parë veten gjithmonë si qendrën administrative politike ekonomike të Ballkanit për shkak se është shteti më potent në rajon, por sot Serbia nuk është vendi i preferuar për shkak të akrobacive të çështjeve të sigurisë, ku në një anë troket në dyert e BE, nga ana tjetër është alet i rusëve. Drejtimi i procesit të Berlinit mund të jetë për shkak të rendit alfabetik. Është zgjedhur Tirana për të përcjellë një mesazh të fortë për vendet e Ballkanit,. Për Serbinë, do të jetë një samit anti-serb për rajonin për shkak të sigurisë, për t’i thënë do vazhdojë të jetë satelit i rusëve apo do vazhdojë aspiratën europiane. Kur zgjidhet Shqipëria, është zgjedhur dhe Maqedonia pasi janë në të njëjtin stad, dhe për arsyet e tjera që kanë të bëjnë dhe me faktin se Shqipëria është një faktor i konsiderueshëm.

Vangjeli: Kur javën e fundit të shkurtit nisi agresioni Rus ndryshuan shumë ekuilibra për Europën, e cila u ndie e kërcënuar, por ajo e rizgjoi nga një lloj apatie. Një rrezik i madh në kufirin e saj më lindor solli në mënyrë të domosdoshme edhe atë se çfarë po ndodhte në Ballkanin perëndimor, ku u kuptua që ishte hallka më e dobët e Europës. Një rajon në të cilin depërtimi rus ishte i dukshëm. Pse Shqipëri? Sepse Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi në kuptimin e ekuilibrave gjeopolitik është një barrierë i këtij depërtimi rus. Shqipëria ngjan si një zgjedhje me detyrim.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!