Moti i keq ka vijuar edhe sot, më 8 janar, duke shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve kryesorë.
Lajmi më i keq erdhi këtë të enjte, nga Durrësi ku u shënua edhe viktima e parë. Një 54-vjeçar u gjet i pajetë në një kanal kullimi pasi e mori rrjedha e ujit. Qyteti bregdetar vijon të jetë në situatë kritike pasi reshjet nuk kanë pushuar.
Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, shpjegoi arsyet pas përmbytjeve të përsëritura në Durrës. Sipas tij, hidrovoret nuk janë të lidhura me situatën në qytet, ndërsa bashkimi i ujërave të zeza me ujërat e bardha ka shkaktuar bllokime të tubacioneve.
Meçe theksoi se ky problem ka ekzistuar që nga viti 2002 dhe vazhdon, duke u përkeqësuar për shkak të rritjes së qytetit dhe kapaciteteve të pamjaftueshme të rrjetit të kanalizimeve. Ai paralajmëroi se zgjidhjet radikale janë të vështira dhe kërkojnë ndërhyrje të mëdha, përfshirë shpronësime, ndërsa menaxhimi i Kënetës mbetet i mundur vetëm përmes kanaleve ekzistuese.
“Hidrovoret nuk kanë të bëjnë me Durrësin. Ujërat e zeza janë bashkuar me ujërat e bardha. Këneta ka punë me hidrovorit. Në Veliera është govatë dhe te stacioni është govatë, ku mbajnë ujin dhe bllokojnë gjithë Durrësit. Që nga 2002 dhe deri tani ky problem ka mbetur dhe vazhdon. Durrësi është rritur si qytet, kapaciteti i tubacioneve të tij i ka kaluar kapacitetet, nuk ka të bëjë me pustetat.
Bashkimi i ujërave të zeza dhe ujërat e bardha ka sjellë bllokim, të tubacioneve. Zgjedhja radikale në Durrës është shumë e vështirë, nëse do të bëhet një sistem kanalizimesh do të bëhen shpronësime. Durrësi është përmbytur dhe do të përmbytet më tej. Nuk ka mekanizëm teknik që të zhbllokojë Kënetën. Këneta do të menaxhohet vetëm përmes kanaleve”, tha Meçe.


