Pse u emërua Peach dhe a po rrezikohet siguria e Ballkanit Perëndimor? Flet eksperti britanik

schedule12:15 - 4 Dhjetor, 2021

schedule 12:15 - 4 Dhjetor, 2021

Profesori britanik, James Ker Lindsay, mendon se caktimi i ushtarakut Stuart Peach si Emisari Special për Ballkanin Perëndimor dërgon sinjal të qartë se Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar për sigurinë në rajon. Profesori Lindsay në një intervistë për Gazetën Express tha se Britania e Madhe me caktimin e emisarit të posaçëm tregon se mbetet e angazhuar në zhvillimet në Ballkan edhe pse s’është më pjesë e BE-së.

Emërimi i Komandantit të Forcave Ajrore të Britanisë Sir Stuart Peach si i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor u pa si kthim i vëmendjes së Mbretërisë së Bashkuar ndaj zhvillimeve në rajon.

Madje, kryeministri britanik, Boris Johnson theksoi se Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh të sigurisë në dy dekadat e fundit.

Profesori dhe njohësi i çështjeve të sigurisë dhe politikës, James Ker- Lindsay mendon se zgjidhja e çështjeve në Ballkan kërkon edhe mendim të freskët se si të adresohen këto çështje.

Ai theksoi se ish-oficeri i NATO-s Sir Stuart Peach mund të arrijë diçka të prekshme nëse punon me Uashingtonin e Brukselin.

“Caktimi i një emisari të posaçëm është qartazi i projektuar për të treguar që, pavarësisht largimit nga Bashkimi Evropian, Britania mbetet plotësisht e angazhuar në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, përderisa kjo sigurisht se është shenjë e mirëpritur e interesimit të vazhdueshëm, Britania mund të bëjë pak vetë. Zgjidhja e çështjeve të mbetura në rajon kërkon bashkëpunim edhe me Bashkimin Evropian, edhe me Shtetet e Bashkuara – si dhe bashkëpunim të ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit. Gjithashtu, për të qenë shumë i sinqertë, kjo kërkon ca mendim të ri e të freskët për atë se si të adresohen çështjet në rajon. Ka pak shenja të inovacionit nga cilido nga aktorët ndërkombëtarë të përfshirë. Dikush do të shpresonte se i emëruari i ri do të bëjë ca të menduar të vërtetë për atë se çfarë duhet të bëhet dhe se çfarë mund të bëhet. Por, përsëri, kjo do të arrijë diçka të prekshme, nëse Sir Stuart gjithashtu mund të punojë me Uashingtonin e Brukselin për këtë”, tha Lindsay.

Eksperti britanik tutje përmend faktin se Emisari Special i kryeministrit Boris Johnson vjen nga ushtria dhe kjo shfaq qartazi shqetësimin e Britanisë së Madhe për sigurinë në rajon.

“Fakti që emisari i posaçëm i ri është nga ushtria dërgon një sinjal të qartë se Mbretëria e Bashkuar është qartazi e shqetësuar për mjedisin e sigurisë në rajon. Sidoqoftë, adresimi i jostabilitetit rajonal kërkon më shumë sesa adresimi i sfidave tradicionale të sigurisë. Zhvillimi dhe paqja rajonale kërkojnë rritje ekonomike, reforma politike, përmirësim të sundimit të ligjit dhe hapa të rinj në përpjekje për t’i zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura rajonale. Ka nevojë për ca të menduar me “fotografi të madhe””, tha Lindsay.

Sipas Lindsay, Profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, ekziston një ndjesi se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është duke u përkeqësuar shkaku i mungesës së lidershipit nga ana e BE-së

Mendoj se ekziston një ndjesi e vërtetë se situata në Ballkanin Perëndimor është duke u përkeqësuar, sepse ka shumë pak lidership të dukshëm për momentin. Bashkimi Evropian nuk është duke e dëshmuar ndjesinë e vendosur të përkushtimit të nevojshëm për t’i çuar gjërat përpara dhe për t’u dhënë vendeve një nxitje të vërtetë për t’u reformuar dhe për të bërë progres rreth çështjeve të mbetura. Shtetet e Bashkuara duket se po riangazhohen, por përballen me detyrën e vështirë të rindërtimit të kapacitetit të saj të politikës së jashtme dhe trajtimit të një vargu të plotë të çështjeve të trashëguara nga epoka e Trumpit. Kjo qartazi ia hap rrugën Rusisë që të bëhet më e përfshirë në rajon”, tha ai.

Qeveria britanike pas emërimit njoftoi për disa nga prioritetet e Emisarit Special të tyre për Ballkanin Perëndimor duke përmendur edhe përkrahjen për dialogun Kosovë-Serbi.

Në Kosovë, kryeministri Kurti e mirëpriti caktimin e Stuart Peach si të dërguar të posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

E mirëpres emërimin e Shefit të Forcave Ajrore të Britanisë së madhe, Sir Stuart Peach si Emisar Special për Ballkanin Perëndimor dhe pres të punoj ngushtë me të për të mbrojtur dhe promovuar lirinë dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë në Serbi janë shprehur të shqetësuar me emërimin e ish-komandantit të Forcave Ajrore të NATO-s si Emisar Special i Britanisë për Ballkanin Perëndimor./Express