Nga Gideon Rachman , The Financial Times
Në vitin 2009, britaniku Martin Zhak, botoi një libër bestseller “Kur Kina të sundojë botën”. Zhak tani po brohoret për fitoren e parashikimit të tij. Ai deklaroi kohët e fundit se “ne do ta kujtojmë vitin 2020 si momentin e tranzicionit të madh, si vitin kur Kina e zëvendësoi SHBA-në si fuqia kryesore në botë”.
Besimtarët e një “tranzicioni të madh” e shohin Covid-19 si “shërbëtoren” e historisë. Pandemia nisi në Kinë. Por qeveria kineze ka bërë një punë shumë më të mirë për ta frenuar sëmundjen sesa SHBA-ja. Sipas Universitetit Xhon Hopkins, numri i përgjithshëm i të vdekur në SHBA nga Covid-19 ishte mbi 223.000 në fund të javës së kaluar, krahasuar me vetëm 4.379 në Kinë.
Pasi ka vënë nën kontroll virusin, ekonomia kineze po ri-ngrihet, dhe duket se do të rritet me 2 për qind këtë vit, duke e bërë atë të vetmen ekonomi të G20-ës, që do ketë rritje gjatë këtij viti. Ndërkohë, ekonomia amerikane ka të ngjarë të tkurret me 3-5 për qind dhe ekonomitë e mëdha evropiane janë në telashe serioze.
Aftësia e Kinës për t`a zbatuar me ashpërsi karantinën, dhe për të testuar masivisht shihet përgjithësisht si vendimtare për suksesin që ka ky vend në luftën ndaj pandemisë. Në një ceremoni të fundit, duke shpërndarë medalje për qytetarët kinezë për punën e tyre kundër Covid-19, presidenti Xi Jinping tha se “pandemia dëshmoi sërish epërsinë e sistemit socialist me tiparet kineze”.
Ndërsa elita kineze po i rreh shpatullat vetes, establishmenti amerikan është i tronditur. “The New England Journal of Medicine”, kohët e fundit vuri në dukje në një editorial se “udhëheqësit tanë kanë dështuar. . . ata e morën një krizë dhe e shndërrua atë në një tragjedi”.
Por kjo kritikë e ashpër ndaj administratës Trump, nuk ka çuar në arrestimin e botuesve të revistës. Ndërkohë, muajin e kaluar, Ren Zhiqiang, një manjat i pasurive të patundshme në Kinë, u dënua me 18 vjet burg.
Dënimi i tij erdhi pasi ai botoi një kritikë agresive ndaj menaxhimit të dobët fillestar të pandemisë nga ana e presidentit Xi Jingping, duke e quajtur udhëheqësin kinez një “klloun lakuriq”. Nuk vonoi shumë dhe Ren u përjashtua nga Partia Komuniste Kineze, dhe më pas u akuzua për korrupsion.
Disa nga mjekët që ngritën të parët alarmin mbi Covid-19 gjatë bisedave private në Vuhan, u kritikuan ashpër nga policia. Edhe kritikët e jashtëm ndaj menaxhimit që Kina i bëri në fillim Covid-19, trajtohen gjithashtu me egërsi.
Kur qeveria australiane, sugjeroi një hetim ndërkombëtar mbi pandeminë, Pekini reagoi duke vendosur menjëherë sanksione tregtare ndaj saj. Paaftësia për të pranuar kritikat, tregon se triumfalizmi i Pekinit është i parakohshëm.
Në terma më të gjerë, nuk ka shumë dyshime se pasi e keq-menaxhoi shpërthimin epidemik fillestar, Kina bëri më pas një punë të mirë për ta përmbajtur nën kontroll sëmundjen. Por disa demokraci aziatike, si Koreja e Jugut dhe Tajvani, kanë bërë edhe më mirë në këtë drejtim, gjë që e përgënjeshtron pretendimin e zotit Xi, se çelësi i suksesit ishte “sistemi socialist” i Kinës.
Edhe nxitimi i Kinës për të shtypur çdo lloj kritike, sugjeron që nëse ka probleme të vazhdueshme brenda vendit, Pekini do t’i mbulojë ato. Ndërkohë, pandemia ka dëmtuar jo pak imazhin ndërkombëtar të Kinës.
Në Kinë mund të konsiderohesh si tradhtar, nëse tregon origjinën e sëmundjes, apo nëse thua se edhe epidemia e mëparshme e SARS-it e kishte origjinën po ashtu në Kinë. Por bota e jashtme i di këto gjëra.
Një studim i fundit i qendrës së njohur së sondazheve në SHBA, Pew, mbi 14 vende kryesisht perëndimore, tregoi se 61 për qind e qytetarëve mendonin se Kina kishte bërë një punë të keqe në menaxhimin e pandemisë së Covid-19, dhe se mosbesimi ndaj liderit të saj Xi Jingping është rritur.
Reagimi ndërkombëtar përbën një sfidë ndaj “modelit kinez”, të krijuar tashmë nga Covid-19. Për 40 vitet e fundit, rritja ekonomike kineze është mundësuar nga tregtia. Ky vend, është sot prodhuesi por dhe eksportuesi më i madh në botë.
Por Covid-19 ka shkaktuar një ulje të ndjeshme të vëllimeve të tregtisë botërore. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përforcojnë reagimet ndërkombëtare kundër Pekinit, teksa e ka kufizuar ndjeshëm tregtinë e teknologjive të ndjeshme me vendin komunist.
Për pasojë, mjedisi liberal ndërkombëtar që e mundësoi mrekullinë ekonomike kineze, tashmë është duke u zhdukur. Udhëheqja e Kinës, do të takohet këtë javë për të planifikuar ecurinë e vendit për vitet në vijim.
Por aftësia e saj për të debatuar hapur mbi këto probleme, pengohet nga kulti i personalitetit që mbyt çdo lloj mendimi alternativ, që është krijuar rreth presidentit Xi. Që nga marrja e pushtetit në vitin 2012, udhëheqësi kinez ka spastruar shumë nga rivalët e tij, ka zhdukur çdo lloj kufizimi kushtetues për mandatet e tij, dhe kjo mund ta lejojë atë të sundojë për gjithë jetën.
Ai e detyroi Partinë Komuniste ta përfshinte “mendimin e Xi Jinping” në statutin e saj. Dhe ky akt nuk është thjesht një formalitet. Përkundrazi, zyrtarët qeveritarë dhe madje edhe kompanitë private,gjenden nën një presion të vazhdueshëm për të lavdëruar shpalljet banale të liderit të madh.
Siç e theksoi në një koment të kohëve të fundit “Bloomberg”, madje edhe parashikuesit e motit në Kinë, apo shkrimtarët e fanta-shkencës janë kritikuar zyrtarisht, pasi nuk kanë bërë sa duhet për të përfshirë “mendimin e Xi Jinping” në punën e tyre.
Zoti Xi e admiron kultin e udhëheqësit që rrethonte dikur Mao Ce Dunin. Por bindja e verbër ndaj tekave të Maos, e çoi Kinën në një katastrofë gjatë Revolucionit të saj Kulturor. Kultet e udhëheqësve përfundojnë rrallëherë mirë, kudo ku ato shfaqen.
Dhe ka pak arsye për të besuar, se Kina nën sundimin e Xi Jingping, do të jetë ndryshe. Sistemi amerikan ka kaluar disa vite të tmerrshme së fundmi, dhe elita amerikane po kalon me të drejtë një krizë të vetëbesimit, dhe është e mbyllur në vetvete.
Por zgjedhjet e rregullta, ofrojnë mundësinë për të ndryshuar kursin, dhe për të zgjedhur udhëheqës të rinj. Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë ta largojnë nga Shtëpia e Bardhë presidentin Donald Trump, dhe mund të jenë gati që ta bëjnë këtë. Nga ana tjetër,Kina nuk ka asnjë mekanizëm për ta çliruar veten nga presidenti gjithnjë e më megalomaniak Xi Jingping. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al