Tirana dhe Partizani përballen nesër me njëra-tjetrën dhe marrin vëmendjen e të gjithë tifozëve në mbarë vendin. Sot në konferenca për shtyp dolën dy trajnerët, Ilir Daja i Partizanit dhe Nevil Dede i Tiranës, që në fakt janë njohje të vjetra të njëri-tjetrit dhe i kanë shtëpitë në të njëjtën lagje të Tiranës.
Gazetarët e pranishëm në të dy konferencat i pyetën nëse janë takuar dhe kanë pasur ndonjë ngacmim me njëri-tjetrin në lagje dhe përgjigja e tyre ishte se kanë qenë të zënë të dy. I pari që u pyet ishte Nevil Dede.
“Ngacmime me Dajën? Nuk jemi shkëmbyer te lagjia. Ai mbetet një mik i mirë, kemi punuar bashkë dhe kemi pasur suksese bashkë, unë si lojtar dhe ai si trajner. Kemi respekt reciprok dhe maksimal, jo vetëm nga ne, por edhe familjet, që njihen prej ditësh”, u shpreh ish-mbrojtësi i bardhebluve dhe kombëtares.
E njëjta pyetje iu drejtua edhe trajnerit Daja, i cili gjithashtu u shpreh se nuk e ka takuar Nevilin, tha se ai nuk ka eksperiencën e mjaftueshme si trajner dhe i qëndroi fjalës se tekniku aktual i Tiranës është lojtari më i mirë që ka trajnuar ndonjëherë.
“Ka qenë një nga më të mirët që kam drejtuar. Me mentalitet fituesi dhe i lehtë për tu menaxhuar. Ka eksperiencë jo të mjaftueshme në trajnim dhe nuk kam pse të kem frikë unë Nevilin, por ai të ketë respekt për mua. Që kur ka marrë drejtimin e Tiranës nuk e kam takuar, si duket nga impenjimet paralele që kemi pasur”, u shpreh Daja. /abcnews.al