Pse Putin e ka kaq të vështirë të pranojë sovranitetin e Ukrainës?

schedule10:30 - 25 Dhjetor, 2021

schedule 10:30 - 25 Dhjetor, 2021

The Conversation 

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Gjatë javëve të fundit, Rusia vendosi mijëra trupa ushtarakë përgjatë kufirit ukrainas, gjë që ka frikësuar liderët perëndimorë nga një inkursion i ngjashëm, ose ndoshta edhe më i gjerë se aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014-ën .

Më pas, më 17 dhjetor 2021, Vladimir Putin kërkoi që asnjë ish-shtet sovjetik, si Ukraina, të mos bëhej pjesë e NATO-s – aleancës perëndimore në të cilën Ukraina ka shprehur prej kohësh dëshirën për t’u anëtarësuar  dhe që NATO të ndërpresë çdo bashkëpunim ushtarak në Europën Lindore. Një retorikë e tillë i referohet Luftës së Ftohtë, kur politika globale rrotullohej rreth një lufte ideologjike midis një blloku lindor komunist dhe një perëndimi kapitalist. Ajo gjithashtu i shërben qëllimit ideologjik dhe politik të Rusisë për të pohuar pozicionin e saj si një fuqi globale.

Po është tashmë e ditur që qëllimi kryesor i  Putinit është pikëpamja historike e Rusisë për Ukrainën si pjesë e perandorisë së saj më të madhe, e cila dikur varionte nga Polonia e sotme në Lindjen e Largët Ruse. Kjo na ndihmon për të shpjeguar veprimet e Putinit dhe se si ai mbështetet pikërisht në këtë pikëpamje të Ukrainës për të vazhduar përpara me planet e tij, raporton abcnews.al

Rusia

Ukraina sot përbëhet nga 44 milionë banorë dhe është kombi i dytë më i madh në Europë. Por për shekuj me radhë, brenda Perandorisë Ruse, Ukraina njihej si ” Malorossiya” ose “Rusia e Vogël”.

Përdorimi i këtij termi forcoi idenë se Ukraina ishte një anëtare e vogël e perandorisë. Dhe ajo u mbështet nga politika e carit  që datonte nga shekulli i 18-të, politikë që shtypte përdorimin e gjuhës dhe kulturës ukrainase. Synimi i këtyre politikave ishte krijimi i një Rusie dominuese dhe më vonë zhveshja e Ukrainës nga identiteti si një komb i pavarur dhe sovran.

Një taktikë e ngjashme është përdorur për të minimizuar pavarësinë e Ukrainës në shekullin e 21-të. Në vitin 2008, zëdhënësi i atëhershëm i Putinit, Vladislav Surkov, pretendoi se ” Ukraina nuk ishte një shtet.” Vetë Putin shkroi një artikull duke pretenduar se rusët dhe ukrainasit janë “një popull”. Ky koncept i një populli të vetëm rrjedh nga historia e “Kyivan Rus” – federata mesjetare që përfshinte pjesë të Ukrainës dhe Rusisë moderne dhe kishte si qendër të saj Kievin e sotëm, kryeqytetin e Ukrainës.

Gjatë viteve të fundit, këto fakte historike janë rritur dhe përhapur gjerësisht në Rusi. Në vitin 2016, një statujë e Princit Vladimir të Kievit,  i konsideruar si një sundimtar i shenjtë nga ukrainasit dhe rusët, u vendos në Moskë. Statuja shkaktoi shqetësim tek ukrainasit. Vendosja e një statuje të madhe të Vladimirit në qendër të Moskës sinjalizoi, për disa përpjekjen e Rusisë për të zotëruar historinë e Ukrainës, raporton abcnews.al

Fakti që u vendos vetëm dy vite pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014 dhe pushtimit të rajonit lindor të Ukrainës Donbass nuk u pa si një ndihmë.

Qytetarët rusë të Ukrainës

Donbass dhe Krimea janë të dyja shtëpitë e një numri të madh rusësh etnikë dhe njerëzve që flasin kryesisht rusisht. Në vitet para veprimeve ushtarake të Rusisë, Putin dhe aleatët e tij shpesh përdorën  konceptin e ” Botës Ruse” ose “Russkiy Mir ” – ideja se qytetërimi rus shtrihet kudo ku jetojnë rusët etnikë.

Ideologjia pohon gjithashtu se pavarësisht se ku ndodhen rusët në botë, shteti rus ka të drejtën dhe detyrimin për t’i mbrojtur ata. Ukraina,  si në vitin 2014 ofron peizazhin e përsosur për këtë koncept. Dhe Rusia dyshohet se ka promovuar ideologjinë e “Botës Ruse” përmes armatimit të separatistëve pro-rusë në rajonet ukrainase të Donetsk dhe Luhansk që nga viti 2014.

Tensionet etnike

Përbërja etnike e Ukrainës sot – me një pakicë veçanërisht të madhe rusësh që jetojnë në lindje  pasqyron absorbimin e vendit në Bashkimin Sovjetik që nga viti 1922. Ukrainasit etnikë jetonin në të gjithë vendin edhe përpara se të përfshihej në Bashkimin Sovjetik. Në vitet 1932-33, për shkak të udhëheqësit sovjetik Joseph Stalin,  4 milionë ukrainas në rajonet lindore humbën jetën për shkak të urisë.  Zia e bukës, e njohur si “Holodomor”, bëri të mundur që rusët etnikë të zhvendoseshin në territorin e Ukrainës.

Këta banorë të rinj nxitën fushatën e industrializimit të Stalinit. Deri më sot, Donbass mbetet zemra e ekonomisë industriale të Ukrainës. Kur ukrainasit votuan për pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në 1991, të gjitha 24 “oblastet” ose rajonet e tij përfshirë Donetsk, Luhansk dhe Krime  ishin pro pavarësisë. Pakica e madhe e rusëve etnikë – 17.3% e popullsisë u cilësuan si qytetarë ukrainas në një shtet të pavarur. Në pjesën më të madhe, edhe ata votuan për pavarësinë.

Për shumicën e dy dekadave të para pas pavarësisë, rusët etnikë kanë jetuar në paqe me ukrainasit dhe pakicat e tjera etnike të vendit. Por kjo ndryshoi në vitin 2010 kur Viktor Janukoviç, një politikan nga Donetsk, u bë president i Ukrainës. Edhe pse ai nuk deklaroi drejtpërdrejt se preferonte një të ardhme pro-ruse për Ukrainën, shumë nga politikat e tij ishin larg politikave pro-europiane të paraardhësve të tij.

Ukraina ishte në rrugën e duhur për të nënshkruar një marrëveshje asociimi me Bashkimin Europian në 2013. Në vend të kësaj, Yanukovych vendosi të nënshkruante një bashkim ekonomik me Rusinë. Kjo shkaktoi protesta masive në mbarë vendin që çuan në rrëzimin e Yanukovych. Putin më pas aneksoi Krimenë me pretekstin e mbrojtjes së rusëve etnikë që jetonin në atë gadishull.

Ndërkohë, separatistët pro-rusë pushtuan qytete të shumta në rajonet Donetsk dhe Luhansk me shpresën se Rusia do të kishte një interes të ngjashëm në mbrojtjen e rusëve në Ukrainën lindore.

Por rusët etnikë dhe rusishtfolësit në lindje të Ukrainës nuk i mbështetën automatikisht separatistët ose nuk donin të ishin pjesë e Rusisë. Që nga viti 2014, rreth 1.5 milionë njerëz janë larguar nga Donbass për të jetuar në pjesë të tjera të Ukrainës. Ndërkohë, të paktën një milion njerëz janë zhvendosur në Rusi. Shumë prej atyre që qëndruan në territoret e pushtuara nga separatistët tani kanë një mundësi që të marrin nënshtetësinë ruse.

Kjo politikë i ka lejuar Putinit të rrisë ndjenjat pro-ruse në Ukrainën lindore.

Forcimi i identitetit të Ukrainës

Ndërsa Putin pretendon se rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë janë pjesë e botës ruse, në realitet, përkatësia etnike nuk është një parashikues i përkatësisë politike në Ukrainë. Me fjalë të tjera, të qenit një rus etnik ose një person që flet rusisht nuk do të thotë që ti je pjesë e botës ruse.

Përkundrazi, në të gjithë Ukrainën, ka pasur një rritje të ndjenjës së një identiteti të fortë e të unifikuar ukrainas që nga viti 1991. Ndërkohë, shumica dërrmuese e ukrainasve mbështesin hyrjen në NATO.

Shumica e ukrainasve e shohin të ardhmen e tyre si një vend sovran që është pjesë e Europës. Por kjo bie ndesh me qëllimet e Putin për të zgjeruar botën ruse. Ato janë vizione kontradiktore që na ndihmojmë të kuptojmë se pse Ukraina mbetet një pikë kritike. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!