Pse PD s’e çoi “detin” në Hagë? Flet për Abcnews.al ish-ministri që takoi Dendias: Greqia ta “djegë” luftën

schedule19:29 - 20 Tetor, 2020

schedule 19:29 - 20 Tetor, 2020

Ministri i Jashtëm Nikos Dendias vizitoi sot Tiranën, ku zhvilloi disa takime të rëndësishme me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, por edhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha.

Në selinë e PD-së, Lulzim Basha kishte zgjedhur që mes atyre që të prisnin ministrin e Jashtëm grek të ishte edhe Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm në 1996–1997, kur u firmos traktati i miqësisë me vendin fqinj.

Sot në Tiranë Dendias dhe Edi Rama u shprehën se arritën marrëveshjen që cështjen e detit ta çonin në Hagë, por cfarë mendon Tritan Shehu për këtë dhe çfarë u diskutua sot në takim?

Në një intervistë për Abcnews.al Shehu shprehet se vendimi i Gjykatës së Hagës nuk ka për të qenë më i mirë se pakti i 2009 për detin, që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi.

Intervista për Abcnews.al

Ju në vitin 1996 keni qenë ministër i Jashtëm, cfarë duhet rishikuar për thellim nga ajo marrëveshje e firmosur?
Baza e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi do të jetë traktati i 1996, që vuri bazat e partneritetit. Hapi rrugën e zgjidhjes së problemeve të vjetra, themel i marrëveshjeve të mëtejshme dhe atyre që duhet të jenë dhe që nuk e ka humbur aspak vlerën dhe aktualitetin.

Nikos Dendias u shpreh se traktati ka nevojë për thellim dhe dinamizën, për cfarë e kishte fjalën konkretisht?
Ai traktat duhet pasuruar, duhen konkretizuar. Ai traktat i 1996 duhet pasuruar me protokolle të ndryshme ekzekutive për t’u realizuar, por pas 1997 nuk u bë. Traktati ka nevojë për marrëveshje të tjera të vazhdueshme. Ai traktat e ka ezauruar ligjin e luftës.

Por përse Greqia nuk e heq ligjin e luftës?
Nëse në sirtaret e Athinës ka ngelë ndonjë protokoll i vjetër është detyra e tyre ta djegin, ta fusin në zjarr, se nuk ka asnjë vlerë. Ne nuk jemi në luftë me Greqinë, jemi anëtarë të NATO-s, kemi një traktat miqësie. Por të kishte një ligj lufte me Greqinë ministri i Jashtëm grek nuk do të vinte në Shqipëri.

Po harresa është e qëllimshme?
Ne nuk kemi pse merremi me atë cështje, atë të merren ata të cilët mund ta kenë harruar në sirtar, duhet ta djegin nëse ka mbetur ndonjë letër e vjetër.

Ndalemi te vendimi për të çuar cështjen e detit në Hagë
Pasi ra ajo marrëveshje, ishte më e mira e mundshme, si ajo marrëveshje nuk do të ketë më Shqipëria. U krijuan kaq shumë intriga dhe dyshime, dhe rruga më e mirë, e kemi thënë prej kohësh, edhe Berisha-Samaras kishin rënë dakord, që të kalonte në gjykatën e Hagës, por Rama e rrëzoi.

Përse nuk e çoi PD-ja në Hagë kur ishte në pushtet?
Erdhën zgjedhjet e 2013, nuk kishte kohë, ishte koha e kufizuar. Berisha dhe Samaras ishte dakord parimisht, por erdhën zgjedhjet, erdhi Rama dhe e dogji.

Haga mund ta rrëzojë Gjykatën Kushtetuese?
Nuk e di, Haga do të përgatisë një marrëveshje tjetër, që është automatikisht e pranueshme nga të dyja palët.

A mendoni se vendimi i Hagës do të jetë më i mirë se marrëveshja e 2009?
Unë mendoj se më e mirë se e 2009 nuk realizohet. Ata që e rrëzuan i kanë bërë një dëm të madh Shqipërisë, edhe rajonit, edhe marrëdhënieve me Greqinë. Varianti më i mirë është i 2009.

A do të kërkojë opozita që të jetë pjesë e grupit që do të çojë cështjen në Hagë?
Asgjë nuk do të bëhet pa ardhur opozita në pushtet. Të jeni të bindur që të gjitha elementët do të zgjidhen nga qeveria e qeveria e re që dot vijë në pushtet.

Kjo ishte pjesë edhe e bisedës me Dendias?
Nuk mund të them asnjë pjesë bisede, por mendimet e mia. Takimi më i rëndësishëm i ministrit të jashtëm të Greqisë sot në Tiranë ishte me Bashën, sepse është kryeministri i ardhshëm për pak muaj.

 

db/Abcnews.al