Pse opozita nuk sjell draft konkret për hapjen e listave? Xhixho: Drafti ynë është “5 qershori”

schedule14:34 - 26 Shtator, 2020

schedule 14:34 - 26 Shtator, 2020

Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshimet kushtetuese dhe dy pikat kryesore të diskutimeve, siç janë heqja e koalicioneve parlamentare dhe listat e hapura, janë kthyer tema nga më të diskutueshmet e muajve të fundit të cilat  kanë vijuar të sjellin situata të ndryshme dhe polemika në politikën shqiptare.

Në ditët e fundit pritet edhe votimi në parlament nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, e cila duket se është tërhequr disi nga kërkesa e saj për lista 100% të hapura, ndërsa opozita jashtë parlamentare ka mbajtur qëndrim krejt tjetër.

Për të folur në lidhje me këtë situatë e ftuar në Studion e ABC News me gazetaren Fabiola Hoxha, ishte ish-deputetja e LSI, Erisa Xhixho.

Pyetjes së gazetares Hoxha se përse opozita e bashkuar nuk vjen me një propozim konkret apo draft për sa i përket listave të hapura, siç ka deklaruar Damian Gjiknuri, Xhixho tha:

“Vetë këshilli politik u ndërtua me frymën e konsesusit, reforma zgjedhore është kusht për çeljen e negociatave. Ka qenë një vullnet i ndërkombëtarëve për të arritur në një marrëveshje ashtu sic ishte e ajo e 5 qershorit, ku u krijuan disa korniza thelbësore për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe të shkëputemi njëherë e mirë nga fenomeni i shitblerjes së votës.

Kemi ardhur në një moment ku me një marrëveshje të njëanshme me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut minuan marrëveshjen e 5 qershorit, bën që në mënyrë të njëanshme ky konsesus të prishej.

Kemi një draft nga PS për hapjen e listave por po ti shohim ato duket fare qartë që ato nuk janë për lista të hapura por janë një fasadë dhe një truk për ti hedhur hi syve të shqiptarëve, ti gënjejë që me votën e tyre do të mund të bëjnë rirenditjen e kandidatëve.

Drafti jonë është 5 qershori dhe ajo çfarë bëmë në atë marrëveshje, më pas mazhoranca e devijoi dhe e shkeli atë konsensus, bëri ndryshime kushtetuese në 30 korrik pa ekspertizë, pa asnjë analizë dhe me forcën e kartonit dhe për interesa të ngushta politike”.

Pyetjes se si do të hyjë LSI në zgjedhjet e 25 prillit, me në një listë të saj apo me një listë të përbashkët, Xhixho u shpreh se çdo parti kërkon të kandidojë me listat e saj, por që gjithsesi LSI do të bëjë publike në një moment të dytë vendimin e saj.

“Mendoj se të pasurit një listë të përbashkët nuk është qëllimi i asnjë force politike. Gjithë advokimi ynë është që secila parti të ketë mundësi të garojë e vetme dhe padyshim të jetë pjesë e një koalicioni për maksimizimin e votave si  një taktikë elektorale por qytetarët të mos shmangen nga votimi ndaj partisë përkatëse gjë që Rama nuk e do këtë.

Sepse kërkon që qytetarët të mos kenë mundësinë të votojnë edhe deputetin apo siglën e partisë që preferojnë. Personalisht jam për lista të hapura 100% dhe jo për listë të përbashkët. Por kjo do të finalizohet në një moment të dytë, LSI patjetër do ti japë mundësinë qytetarëve të zgjedhin”, tha ndër të tjera Xhixho.

N.D./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!