Nga Rebecca Morelle, BBC
Pamjet tronditëse nga India kanë shokuar botën, ndërsa vendi lufton me rritjen e rasteve të Covid. Por shpërthimi nuk është vetëm një krizë për Indinë – është një krizë për të gjithë botën.
“Virusi nuk respekton kufijtë, as kombësitë, as moshën, as gjininë ose fenë,” sipas Dr Soumya Swaminathan, shkencëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Dhe ajo që po ndodh në Indi tani për fat të keq ka ndodhur edhe në vendet e tjera”.
Pandemia ka zbuluar se si përhapet virusi nga një vend në vendin tjetër. Nëse një vend ka nivele shumë të larta të infeksionit, atëherë ka të ngjarë të përhapet në vendet e tjera. Pavarësisht kufizimeve të udhëtimeve, testeve të shumta dhe karantinës, virusi vazhdon të përhapet.
Në një fluturim të fundit nga New Delhi në Hong Kong rreth 50 pasagjerë rezultuan pozitive me Covid-19. Por ajo çfarë ka shqetësuar edhe më shumë Indinë janë variantet e reja të Covid.
Një variant i ri është shfaqur në Indi i quajtur B.1.617. Është cilësuar “variant i dyfishtë” për shkak të dy mutacioneve kryesore. Sipas disa provave laboratorike ky variant se është pak më transmetues dhe antitrupat mund ta kenë më të vështirë të bllokojnë virusin.
Por sa më i lartë të jetë numri i rasteve me Covid në një vend, aq më shumë ka gjasa që të shfaqen variante të reja. Kjo sepse çdo infeksion i jep virusit një shans për të evoluar dhe një shqetësimi tjetër është se mund të lindin mutacione që i bëjnë vaksinat joefektive.
Bllokimet dhe masat e distancës sociale janë një mënyrë për të parandaluar përhapjen e varianteve por vaksinimi është gjithashtu jetësor. Deri më tani më pak se 10% e popullsisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe më pak se 2% janë vaksinuar plotësisht.
Kjo pavarësisht nga fakti që India është prodhuesi më i madh i vaksinave në botë – Instituti i Serum i Indisë. Gjatë muajit mars ndërsa rastet në Indi filluan të rriteshin, autoritetet pezulluan eksportet e mëdha të vaksinës Oxford-AstraZeneca.
Kjo përfshinte vaksinat për skemën Covax të mbështetur nga OKB për të siguruar doza në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Të hënën, Aleanca Globale e Vaksinave (Gavi), tha se po priste me ngulm se kur do të rinisnin furnizimet nga India. Kjo sigurisht që do të ndikojë në zgjerimin e fushatës së vaksinimit në shumë vende.
Sipas shkencëtarëve, duhet dyfishuar vaksinimi sa më shpejt të jetë e mundur në të kundërt situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Globalisht, pandemia nuk ka treguar asnjë shenjë lehtësimi.
Situata në Indi është një shembull se askush prej nesh nuk do të jetë i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt./abcnews.al

