Nevil Dede, trajneri i Shqipërisë U19, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, foli për shumë tema të Kategorisë Superiore. Fillimisht ai foli për situatën e krijuar te Partizanit, që me trajnerët italianë, Lerda e Sormani tani, nuk ka pasur ecurinë e duhur.
“Lojtarët kanë humbur besimin. Po e nis nga fillimi. Lerda erdhi dhe kishte problem me lojtarët, pastaj kishte ndryshime në formacion dhe ndryshime pozicionesh. Lerda ishte 6 pikë para Tiranës kur iku, tani janë 21 pikë prapa. Zgjedhja e Sormanit nuk ishte e duhura. Edhe ai nisi pa stabilitet në formacion.
Ndërrimet e emrave dhe pozicioneve kanë ndikuar. Me gjithë këtë zallamahi të formacionit, edhe lojtarë si Hoxha, Telushi e Trashi, dalin ndër më të dobëtit në fushë. Ata nuk e dinë kë kanë në krah, Hoxhës i gjuajnë trefish më shumë, Telushit i zgjatet skuadra. Të gjitha bëhen bashkë dhe harmonia në lojë mungon”, tha Dede.
“Nuk del kurrë lojtari i ndeshjes, kur humbet. Ata si lojtarë po marrin kosto të mëdha. Telushi është nën 50 për qind të kapacitetit të tij. Trashi ka vetëm një fazë. Nuk del lojtar ndeshjeje kur humbet. Nuk ka mundësi të vijë Boldor nga karantina ë të bëhet titullar. Po ju shtroj një pyetje: koston financiare në një klub e merr presidenti, kurse Sormani aspektin sportiv. Nëse Rama është ai që i ka zgjedhur, vjet e nxori kampion, sivjet dështuan, çfarë note t’i vëmë? Është i dështuar, apo është i suksesshëm”, tha Dede në vijim të diskutimit.
“Olsi Rama ka pasur një mospërputhje karakteri me Skënder Gegën. Nuk është çështje meritash. Nuk ranë dakord kush është koka e merkatos dhe aty u ndanë. Më kollaj e ka Starova, ai mund t’ia vendosë notën, pasi ka punuar në shumë klube dhe ka punuar edhe në Federatë. Është fundi i botës të mos jetë Partizani në kupat e Europës. Tirana edhe ta nisë tani kampionatin, del 20 pikë sipër Partizanit.”, tha trajneri kryeqytetas.
“Faji i Olsi Ramës është se duhet të japë urdhra. Nëse trajneri nuk merr komanda, atëherë është dështim i drejtuesit. Ai duhet të thotë që ky lojtar duhet të luajë. Asanin e nxori jashtë loje”. /abcnews.al