Nga Ferdinando Giugliano, Bloomberg
Vendet evropiane janë krenuar prej kohësh me shtetet e tyre të forta të mirëqenies sociale, përfshirë sistemet e forta të shëndetit publik. Ato janë gjithashtu të bindura se shteti ka një rol të madh për të luajtur në nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.
Por shpërndarja e ngadaltë e vaksinave kundër Covid-19 në të gjithë Bashkimin Evropian, po saboton çdo pretendim se qeveria i di më mirë gjërat, qoftë në nivelin kombëtar apo mbi-kombëtar. Në qoftë se Evropa nuk i zbaton si duhet programet e saj të vaksinimit masiv, do të jetë e vështirë të besohet se modeli i saj politik, mund t’u japë qytetarëve të saj rezultate më të mira sesa ato që janë në dispozicion në pjesën tjetër të botës.
Evropa nuk e ka nderuar veten gjatë pandemisë. Kontinenti u godit nga një valë e parë brutale e koronavirusit në pranverë, teksa ky i fundit zbuloi tëçara në sektorët e kujdesit shëndetësor të shumë vendeve si Italia dhe Spanja.
Gjatë verës, BE-ja u duk se po e përballonte më mirë se SHBA-ja situatën, duke ngjallur shpresat se ajo kishte zhvilluar sisteme efektive të gjurmimi, të cilat mund të ndihmonin në shmangien e bllokimeve të reja. Por një valë e dytë e Covid-19 gjatë vjeshtës,minoi çdo pretendim për epërsinë evropiane.
Vetëm disa vende në Azi, si dhe Australia dhe Zelanda e Re, e kanë menaxhuar pandeminë me kompetencë. Mjerisht, BE-ja duket se po dështon edhe në fazën më të fundit, dhe ndoshta më të rëndësishmen të menaxhimit të virusit:vaksinimin masiv.
Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) po merr kohën e saj për të miratuar vaksinat, që janë konsideruar të sigurta dhe efektive diku tjetër. Vonesa e përgjigjes së saj mbi vaksinën e përbashkët të AstraZeneca Plc dhe Universitetit të Oksfordit është e kuptueshme:Testet e saj janë zvarritur në kohë nga problemet që justifikojnë një qasje më të kujdesshme sesa miratimi i shpejtë nga ana e Britanisë së Madhe.
Sidoqoftë, studimi i ngadaltë i vaksinës së Pfizer Inc.-BioNTech SE dhe asaj të Moderna-s Inc. (ende në pritje të dritës jeshile) është shumë më i vështirë të kuptohet. Shpërndarja e vaksinës ka qenë edhe më e ngadaltë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Bloomberg News. Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja – vendet më të mëdha të BE-së – kanë vaksinuar së bashku më pak se gjysmën e numrit të njerëzve që kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Izrael. Dhe kjo pavarësisht faktit, se këto 4 vende të BE-së kanë gati një popullatë në total 30 herë më të madhe se ajo e Izraelit.
Reagimi i Gjermanisë ka qenë shumë më i shpejtë se sa i shteteve të tjera të BE, ndërsa Italia ka ngritur një panel për të treguar përparimin e saj. Por komunikimi publik në Spanjë ka qenë më i dobët, ndërsa Franca mundi të vaksinonte vetëm 516 njerëz në javën e parë të programit. Ndërsa vonesat e EMA dhe festat e Krishtlindjeve nuk e ndihmuan aspak procesin, ka pak shenja se kontinenti do të arrijë të vijojë me shpejtësi zbatimin e programit, teksa përballet me burokracinë, mungesën e trajnimit të personelit mjekësor dhe pajisjeve të duhura.
Evropa mund të pretendojë disa suksese. Vaksina e parë e autorizuar u zhvillua në një laborator gjerman, edhe pse iu desh një kompanie amerikane që ta prodhonte atë në masë.
Gjithsesi, si në hulumtimin dhe zhvillimin e vaksinave ka pasur dështime të dukshme, përfshirë përpjekjet për zhvillimin e një vaksine nga francezja Sanofi, të cilat janë shtyrë deri në fund të këtij viti 2021. Kur firmosi porositjen e vaksinës këtë verë, Komisioni Evropian mund të ketë dështuar të zbulojë se cilat vaksina dukeshin më premtuese.
KE duhet të bëjë tashmë me vonesë disa porosi shtesë të vaksinave BioNTech-Pzifer dhe Moderna, 2 trajtime për të cilat amerikanët kishin vënë bast më herët. Çështja e vaksinimit ë shpejtë të popullatës është aq e rëndësishme,saqë shumëkush po çuditet pse Evropa po tregohet kaq e ngathët.
Një program efektiv dhe i shpejtë i vaksinimit në masë do të shpëtojë mijëra jetë, do t’i lejojë vendet të rihapin më shpejt ekonomitë e tyre, dhe të shmangin kostot e rënda psikologjike të bllokimeve të pafundme. Gjithashtu, ai mund të kufizojë rrezikun e mutacioneve të tilla si i ashtuquajturi“varianti britanik”, që mund ta bëjë virusin Sars-CoV-2 shumë më të vështirë për t’u kontrolluar.
Prodhimi i kufizuar i vaksinave, nuk e justifikon këtë dobësi që po vërehet në kontinent:Ka më shumë kuptim të përdoret gjithçka që ke në dispozicion për të imunizuar sa më shumë njerëz, në vend se t’i lësh dozat e vaksinave në një frigorifer, ndërsa një qeveri përpilon planet e saj të shpërndarjes.
Sigurisht kjo fushatë nuk është e lehtë. Politikanët mund të kenë nevojë të trajnojnë më shumë personel mjekësor, të hapin vende të veçanta, dhe të bindin ata që kanë frikë të vaksinohen, pasi mendojnë se këto vaksina nuk janë testuar në mënyrën e duhur.
Por këto gjëra duhet të kishin filluar seriozisht muaj më parë, sapo u bë e qartë se 1ose më shumë vaksina efektive ishin të mundura. Me shfaqjen e formave në dukje më virulente të Covid-19, dhe me miratimin e vaksinave me të cilat mund të luftohet ai, nuk ka justifikime. Evropa duhet të ketë një dinamizëm të nevojshëm në programin e saj të vaksinimit. Reputacioni i saj për pasjen e qeverive kompetente – dhe për modelin e të çmuar social- varet nga ajo që do t’u tregojë qytetarëve të saj dhe botës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

