“Pse dreqin s’marrin polici”, Hasanbelliu: U vu jeta e fëmijëve në rrezik, Jupit i kërkova sqarime

schedule20:14 - 31 Mars, 2021

schedule 20:14 - 31 Mars, 2021

Football Republic-Teuta për 19-vjeçarë është mbyllur me një sherr masiv, ku kanë marrë pjesë futbolliste dhe prindër. Një turp i vërtetë, që është dënuar edhe nga FSHF që kritikon edhe autoritetet shtetërore për mosveprimin edhe në raste të tjera.

Në lidhje me ngjarjen e shëmtuar ka folur edhe presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili ka folur për “Panorama Sport”. Fillimisht ai shprehet: “Është jashtë çdo logjike që në një ndeshje fëmijësh të ndodhë kjo. Një mori njerëzisht pra që u vërsulen disa fëmijëve.

Nuk më ka bërë kurrë vaki në 22 vite që unë jam në futboll të shoh pamje të tilla te moshat. Jam i revoltuar sepse është vënë në rrezik jeta e fëmijëve”. Më tej Hasanbelliu shton: “Kam folur edhe me Redi Jupin direkt pas incidentit.

I kam kërkuar shpjegime se si mund të luajnë fëmijët nën atë trysni prindërish dhe të afërmish. Nëse ka kaq shumë persona pse dreqin nuk marrin forca policie, apo forca sigurie, por tmerrojnë fëmijët kështu?

Më kanë marrë prindërit të shokuar dhe më ankoheshin se u ishte rrezikuar jeta fëmijëve. E paimagjinueshme ajo që ka ndodhur, jam vërtetë i nervozuar dhe i neveritur nga ato skena. Kurrë nuk ka ndodhur kjo me fëmijët”.

https://streamable.com/d4qsgz

REAGIMI – Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ka reaguar edhe Football Republic. “Jemi të keqardhur dhe të shqetësuar për incidentet pas ndeshjes U19 Football Republic dhe KF Teuta.  Ndeshja që u zhvillua sot ishte një ndeshje shumë cilësore dhe shumë korrekte gjatë të gjithë 90 minutave të saj.

Incidentet e ndodhura në përfundim të 90-minutëshit të ndeshjes ku një pjesë e njerëzve të pranishëm u futën në fushë, prishën të gjithë atë performancë sportive të një niveli të lartë.  Klubi distancohet nga të gjithë ata persona që u futën në fushë në mënyrë të pa autorizuar, duke thyer të gjithë rregullat e organizimit të një ndeshjeje sportive dhe që shkaktuan një shfaqje të shëmtuar.

I kërkojmë ndjesë publike Klubit të Teutës, lojtarëve dhe stafit të ekipit U19, prindërve dhe njerëzve të pranishëm të cilët nuk ishin pjesë e atij invazioni të fushës, si dhe gjithashtu institucionit të Futbollit.

Klubi ju siguron që parimet dhe vlerat me të cilat klubi ynë funksionon janë të shëndosha dhe të pastra si dhe ju sigurojmë që ky incident nuk do të ndikojë në vazhdimin me insistim dhe me përkushtim në këtë rrugëtim parimor dhe sportiv”, shkruhet në reagimin e klubit privat të futbollit.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!