Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Pse do të dështojë impeachment-i dytë ndaj Donald Trump

schedule11:21 - 9 Shkurt, 2021

schedule 11:21 - 9 Shkurt, 2021

Nga Courtney Weaver, Financial Times

Një vit tjetër, një tjetër gjyq për fajësimin (impeachment) e presidentit. Treqind e gjashtëdhjetë e tetë ditë pasi Senati i SHBA-së votoi për ta liruar Donald Trumpin me akuzat e pengimit të Kongresit dhe abuzimit me pushtetit, legjislatura e 117-të e Kongresit të SHBA-së ka ndërmarrë një tjetër gjyq të fajësimit, me të njëjtin protagonist, dhe kryesisht me të njëjtët lojtarë.

Por fundi i këtij procesi, është pranuar si i paramenduar. Në vitin 2020, vetëm një senator republikan – Mitt Romney – votoi për ta dënuar Trumpin për akuzën e abuzimit me pushtetin. Këtë herë, vetëm 5 senatorë republikanë kanë rënë dakord se Senati mund të fajësojë ish-presidentin pasi ai të ketë lënë detyrën. Por të imagjinosh që 17 senatorë republikanë, do t’u bashkohen demokratëve për ta dënuar Trumpin, kjo do të ishte marrëzi.



Ndërsa skandalet e Uashingtonit, nga Watergate tek hetimi mbi lidhjet me Rusisë, kanë qenë momente historike për mediat, procedimi aktual është përcjellë me më pak interes, pasi vëmendjen e ka marrë kriza ekonomike dhe ajo e pandemisë.

Ndërsa sipas një analize të FiveThirtyEight, një shumicë e ngushtë amerikanësh, e mbështesin tani fajësimin e Trump më shumë sesa në vitin 2020, interesi mbi këtë proces është i dobët si brenda ashtu edhe jashtë Uashingtonit, pasojë ndoshta e lodhjes me Trumpin në të dyja kampet politike.

Tashmë të dyja palët duket se janë në një mendje mbi llojin e gjyqit që do të dëshironin të shihnin:”Shpresojmë që të jetë sa më i shkurtër që është e mundur”- tha Rand Paul, një prej senatorëve republikanë, që mendon se procesi është anti-kushtetutes.

Më shumë vëmendje media amerikane i ka dhënë gjatë javës së kaluar Marjorie Taylor Greene, kongresmenes së re republikane, sesa fajësimit të katërt presidencial në historinë e SHBA-së. Presidenti Joe Biden, që po përpiqet të garantojë konsensus mbi paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarë përmes Kongresit, ka treguar pak interesim mbi fajësimin e Trump.

Dhe as shumë nga demokratët në Senat. Të vetëdijshëm se mazhorancat e tyre të ngushta në Senat dhe Kongres, mund të zhduken në zgjedhjet e mesit të mandatit në vjeshtën e vitit 2022, ata duan që ta përdorin këtë hapësirë të ngushtë, për të miratuar sa më shumë nga ligjet që reflektojnë reformat e premtuara.

Procedurat e fundit të fajësimit të Trump në Kongres zgjatën vetëm 48 orë. Gjyqi i Senatit ka të ngjarë të zgjasë më pak se 1 javë. Kjo nuk do të thotë, se pavarësisht nga mungesa e entuziazmit, i gjithë mundi ka qenë i kotë.

Jeffrey Engel, drejtori themelues i Qendrës për Historinë Presidenciale në Universitetin Metodist, dhe bashkëautor i librit “Impeachment:Një Histori amerikane”, thotë se mungesa e entuziazmit publik, vjen ndoshta për shkak të faktit që Trump është tashmë jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Engel beson se fajësimet presidenciale në SHBA, ndahen në 2 kategori:ato të përqendruara tek sjellja e keqe, dhe ato që ngrenë pyetje të mirëfillta në lidhje me ekuilibrin e fuqisë. Ai argumenton se procedurat aktuale, shënojnë vetëm herën e dytë kur një fajësim është klasifikuar në kategorinë e dytë, e para ishte ai i Andrew Johnson në vitin 1868.

Në gjyqin e ardhshëm, Engel thotë se ai do të kërkojë të shohë se sa senatorë do e shfajësojnë Trumpin, dhe sa do të refuzojnë të pranojnë se ai synonte të nxiste trazirat në Capitol Hill, përkundrejt atyre që argumentojnë se dënimi i Trump do të ishte antikushtetues, tani që ai është jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Shumë studiues juridikë, e hedhin poshtë këtë pretendim, por ekipi juridik i presidentit po përgatitet që ta argumentojë atë justifikim, dhe shumica e senatorëve republikanë ka të ngjarë të bien dakord me të. Në Kongres, fajësimi i dytë ishte një moment përcaktues për një grupim të vogël republikanësh, më së shumti për Liz Cheney nga Wyoming, e cila u përjashtua nga partia e saj për shkak se votoi pro fajësimit të presidentit.

Kjo shkaktoi një armiqësi ndaj saj nga anëtarët e partisë që janë më pro-Trumpit, të cilët u përpoqën por nuk arritën ta dëbojnë atë nga udhëheqja e Kongresit. Gjyqi i dytë mund të përfundojë shumë mirë vetëm si një shënim në biografinë politike të Donald Trump.

Por për disa prej ligjvënësve republikanë të përfshirë në të, gjërat mund të mos jenë më njëlloj. Siç argumenton Engel:“Ne nuk do ta kujtojmë Trumpin se u fajësua për nxitjen e trazirave. . . Por do ta kujtojmë atë për nxitjen e trazirave dhe një kryengritje”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!