Pse Bajram Begaj kandidat për President? Rama tregon arsyen: Shëmbëlltyrë e normalitetit

schedule19:23 - 3 Qershor, 2022

schedule 19:23 - 3 Qershor, 2022

PS hapi zarfin dhe ka propozuar për President të Republikës së Shqipërisë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, zotin Bajram Begaj.

Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, kryeministri Rama ka treguar për gazetarët edhe arsyen pse PS propozoi zotin Begaj, i cili ditën e nesërme do të kalojë në seancë parlamentare. Sipas Ramës, figura e tij është shëmbëlltyra e normalitetit dhe qytetarisë që zyra e Presidentit ka nevojë.

Rama: Sepse është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e sensit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga kandidaturat e propozuara nga Grupi Parlamentar i PS. Unë nuk kam qenë ndër propozuesit dhe më vjen shumë mirë që diskutimi i sotëm i kryesisë ishte një diskutim i hapur me shumë debat në një frymë shumë pozitive dhe me shumë sens përgjegjësit, gjë për të cilën kemi shumë nevojë në mbledhjet tona të brendshme. Më vjen shumë mirë që një pjesë e kolegëve të kryesisë janë zhgënjyer pozitivisht. Ne do të zgjedhim Presidentin e Shqipërisë në seancën e ardhshme dhe jemi të qetë që kemi kaluar në një proces ku ne e kemi dhënë disponilitetin tonë të plotë.

Nëse nuk e pranon Bajram Begaj propozimin?

Rama: Ju kam thënë që unë nuk ec asnjëherë me nëse. Shefi i Shtabit të përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti. Eksperienca na tregon se ai që vinte nga ajo zonë e jetës që janë forcat e armatosura, jo vetëm që kujtohet mirë nga shqiptarët, por është Presidenti që do të mbahet mend shumë gjatë, që është Alfred Moisiu.

Në orën 10:00 të ditës së nesërme, deputetët do të japin firmën e tyre dhe në orën 12:00 do ta çojnë kandidaturën zyrtarisht në Kuvend. Në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve i cili do të verifikojë nëse kandidatura i përmbush kushtet./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!