E pyesin vazhdimisht sepse thonë se nuk kanë marrë përgjigje.
Por socialistët s’kanë ndër mend të tërhiqen.
Taulant Balla: “Së pari, si shpjegohet që Lulzim Basha thotë se i ka paguar lobuesit të tij në Washington vetëm 25 mijë dollarë, ndërsa kompania lobuese Muzin, që ka firmosur kontratë me Lulzim Bashën, deklaron se ka marrë plot 525 mijë dollarë nga Partia Demokratike”?!
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste këmbëngul në zbardhjen e lidhjes mes Bashës dhe biznesmenëve rusë që kanë në pronësi firmën Biniatta, e që kanë paguar plot 150 mijë dollarë të tjera kompanisë lobuese Muzin?!
Taulant Balla: “Çfarë është kjo dhuratë ruse për Lulzim Bashën dhe përse i është dhënë?
E çka është më e rëndësishme, çfarë i ka premtuar Lulzim Basha në këmbim biznesmenëve rusë”?
Sipas socialistëve Lulzim Basha dhe Partia Demokratike duhet të marrin të gjithë përgjegjësinë për financimin e paligjshëm sipas tyre në kohën e “Çadrës së Republikës së Re”.
Taulant Balla: “Lulzim Basha, burimet e errëta të këtij financimi, ku përfshihen edhe xhepa oligarkësh rusë, janë një arsye e pashmangshme që Lulzim Basha të ndiqet penalisht dhe kjo Parti Demokratike e marrë peng prej tij të ndëshkohet moralisht nga çdo demokrat i ndershëm”./abcnews.al