Procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë vendimtare, u theksua gjatë një mbledhjeje prej disa orësh të kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
I ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, analisti Frrok Çupi vlerësoi se institucionet po funksionojnë në kushte normale dhe se vendi ndodhet përpara një angazhimi të paprecedentë për mbylljen e grup-kapitujve deri në vitin 2027.
Sipas tij, roli i Parlamentit është kyç në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, ndërsa procesi kërkon një angazhim gjithëpërfshirës dhe durim politik në një moment që ai e cilësoi historik për integrimin europian të Shqipërisë.
“Gjithçka është në kushtet normale, institucionet funksionojnë në gjendje normale. Po afrohet puna, erdhi koha për Bashkimin Europian. Viti 2027 vjen shpejt, dhe duhen mbyllur grup-kapitujt për anëtarësimin në BE. Është një tërmet për pjesën e angazhimit, ndodh për herë të parë në vendin tonë dhe është një aksion gjithëpërfshirës. Siç e tha dhe vetë kryeministri do të mblidhemi herë pas herë për afrimin e legjislacionit.
Pse parlamenti?! Sepse mban gjithë barrën legjislative. Parlamenti duhet që t’i hapë rrugë luftës së keqes. Parlamenti mban përgjegjësi morale. Realiteti është, që opozita është e destinuar dhe e angazhuar që do të prishë punën e Bashkimit Europian. Europianët, por dhe ne e dimë që opozita nuk është faktor, megjithatë mazhoranca e ka për detyrë që të bëjë sikur është faktor, me qëllim që të destabilizohet e keqja dhe kjo kërkon durim, kulturë dhe angazhim. Është detyruar mazhoranca të veshë bukur një opozitë që i ka dalë boja. Është një karakatinë e dëmshme, e ka që në gjenezë prishjen e negociatave me BE. Me opozitën e Shqipërisë, Bashkimi Europian i ka mbyllur hesapet”, tha Çupi.


