PS plotëson dëshirën e Bashës/ Ndëshkohen me kërkesë të maxhorancës foltoristët bllokues, përjashtohen 19 deputetë

schedule15:23 - 29 Janar, 2024

schedule 15:23 - 29 Janar, 2024

Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e 19 deputetëve të opozitës që bllokuan dy herë radhazi punimet e komisionit të reformës zgjedhore.

Pas një mbledhjeje të zhvilluar online, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtim me 20 ditë për deputetin Ervin Salianji, dhe 10 ditë për 18 deputetët e tjerë. Vendimi erdhi pas një kërkese të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Salianji u përjashtua nga Kuvendi, duke marrë ndëshkimin më të lartë që ka marrë deri më tani një deputet, plot 20 ditë. Mbi Salianjin u zbatua rregullorja e re e Kuvendit, dhe ai u penalizua sepse në seancën e fundit të Kuvendit por dhe në mbledhjen e së premtes të reformës zgjedhore përdori zhurmues për të bllokuar punimet si dhe sipas socialistëve, bëri thirrje për kaos.

18 deputetë të tjerë të grupimeve Berisha e Bardhi u ndëshkuan me 10 ditë përjashtim, për të njëjtat ngjarje.

Të përjashtuar janë deputetët: Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Cela, Tritan Shehu, Lefter Geshtenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykhashi, Ervin Salianji, Saimir Korreshi, Kasem Mahmutaj, Ramadan Likaj. Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani, dhe Luan Baçi.

Të premten, mbledhja e komisionit të reformës zgjedhore u bë online, pasi dështoi mbledhja fizike. PD-ja e Bashës i kërkoi kryetares së Kuvendit të merrte masa që mbledhja të bëhej në kushte normale dhe të mos toleroheshin veprimet bllokuese të berishistëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!