Partia Socialiste ia doli të triumfonte edhe në bashkinë e Vaut të Dejës, një bashki e cila tradicionalisht ka qenë një bastion i demokratëve.
Kandidati i PS, Kristjan Shkreli siguroi një fitore të thellë përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zef Hila dhe asaj të PD, Klomentina Drini, e cila doli e treta.
Kryetari i ri i zgjedhur në një lidhje skype me “Tirana Live” në ABC News u shpreh fillimisht se fitoreje e thellë erdhi si pasojë e fushatës që ai bëri. Ai shton se qytetarët e Vaut të Dejës përkrahën programin e tij, PS dhe rininë.
“Ne bëmë një fushatë të bukur, të qetë, dolëm derë më derë. Falenderoj çdo votues, sepse ata përkrahën programin tim, PS dhe rininë” tha fillimisht Shkreli.
Në lidhje me kundërshtarët e tij politikë, Shkreli tha se ata uruan njëri-tjetrin pas përfundimit të procesit të numërimit dhe i uruan njëri-tjetrit suksese.
“Po, jemi takuar te KZAZ0-ja, të 3 kandidatët. Kemi falenderuar njëri-tjetrin dhe uruar suksese” shtoi ai.
Në këtë bashki sapo ka nisur procesi i numërimit të votave për Këshillat Bashkiak dhe sipas informacioneve të kandidatit fitues, deri më tani janë hapur vetëm 5 kuti dhe ajo që kryeson është PSD dhe më pas vjen PS, por shton se ky është vetëm fillimi dhe pritet që në fund PS të kryesojë.
“Sipas informacionit tim, janë hapur 5 kutitë e para dhe forcë e parë është PSD dhe më pas vjen PS dhe “Bashkë Fitojmë.
Janë hapur vetëm 5 qendra votimi që janë në zona të thella. Pritet që kur të hapet qendra të ketë ndryshime” tha Shkreli.
A ka menduar Shkreli se çfarë do të bëjë në 100 ditët e para në krye të bashkisë? Ai tha se po dhe ajo që do të bëjë është rehabilitimi i përroit dhe rikonstruksioni i pallateve të ndërtuara në kohën e komunizmit, të cilët nuk kanë pasur asnjë ndërhyrje.
“Përkushtim ndaj çdo qytetari në Vaun e Dejës dhe çdo qytetar e ka derën e hapur pa dallime politike.
“Sipas programit tonë kemi disa projekte, siç është rehabilitimi i përroit, po ashtu rikonstruksioni i pallateve, pasi janë pallate të vjetra dhe nuk kanë pasur asnjëherë ndërhyrje” shtoi ai.
Në lidhje me vështirësinë e një fitoreje në një bashki trandicionalisht të djathtë, Shkreli tha se kundërshtari i tij nuk kishte humbur asnjë garë, por koha dikton gjithçka dhe koha e tyre ka mbaruar sipas tij.
“Rivali im është një nga personat që nuk ka humbur asnjëherë në këtë bashki. Unë mendoj që koha i dikton të gjitha dhe koha e tyre ka mbaruar” përfundoi kryebashkiaku i zgjedhur i Vaut të Dejës.r.t/abcnews.al