Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar Partinë Socialiste për bllokim të komisionit hetimor për inceneratorët. Me këtë veprim, kryedemokrati thotë se u demaskua se kush fshihet pas drejtësisë. Pavarësisht kësaj, lideri i PD-së shprehet se nuk do të ndalet në luftën kundër korrupsionit.
“Bllokimi i Komisionit Hetimor për mafien e inceneratorëve nga Partia Socialiste, është jo vetëm i jashtëligjshëm dhe antikushtetues, por demaskon kokat e vërteta që kërkojnë t’i fshihen drejtësisë, për dëmin prej 430 milionë euro që u kanë shkaktuar familjeve shqiptare.
Lufta kundër korrupsionit është jetike për Shqipërinë dhe përpjekjet e qeverisë më të korruptuar në rajon, për të penguar transparencën dhe hetimin parlamentar, nuk do ta ndalin misionin tim dhe të Partisë Demokratike në përballjen me armikun e mirëqenies së shqiptarëve” shkruan ai.
Në mesditë Partia Demokratike akuzoi se deputetët e PS-së nuk morën pjesë sot në mbledhjen e lajmëruar më herët nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku duke bllokuar punën e komisionit. “Mospjesëmarrja e deputetëve socialistë ndikon në mosarritjen e kuorumit për shumicën, duke bllokuar kështu hetimin për inceneratorët.
Mbledhja e Komisionit Hetimor të inceneratorëve u bllokua nga PS një javë pas arrestimit nga SPAK të ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Partia Demokratike dërgoi në SPAK padinë penale për inceneratorët në tetor 2020.
Kryeministri Edi Rama është në krye të listës së të kallëzuarve, por deri tani ndaj tij, ministrave të tjerë dhe kryebashkiakëve socialistë nuk është bërë asnjë veprim nga SPAK” mbyllej deklarata e PD-së /Abcnews.al

