Nga Leontina Nika
Megjithëse, në kontakt me veprën ” Marksi në Soho” Sokol Cunga ra 12 vite më parë, e ku edhe ai vetë ndjeu urrejtje në fillim, pasi i riktheu në kujtesë trishtimin e diktaturës, pas shijimit të teatrit në Greqi, u kureshtua ta sillte në shqip, meqenëse vepra kishte folur në 50 gjuhë të botës.
“Kur pashë posterin e pjesës teatrale me emrin e Marksit dhë një lloj vizatimi të portretit të tij e urreva, por pasi dikush më këshilloi që nuk është ajo që duket, në fakt kishte të drejtë. Ajo që pashë në atë pjesë teatrale dhe ajo që më pas lexova se nuk ishte një Marks i ngrirë”, thotë ai.
Kjo monodramë e mprehtë dhe e hollë e shkruar nga mbrojtësi i të drejtave të njeriu Hword Zinn, tingëllon absurde.
Por Zinn pasqyron edhe idetë e Marksit me realitetin e botës së sotshme.
“Titulli është goditës, por brendia është shumë më e butë se sa emri i rëndë i Marksit që shohim në titull dhe në kopertinë. Bëhet fjalë për një monolog ku Marksi në një lloj forme humoristike thotë disa të vërteta siç i ka përfytyruar autori se do t’i thoshte Marksi nëse do të vinte të fliste në kohën tonë ”, shprehet ai.
Cunga garanton se kjo është vepër letrare, e cila nuk ka për qëllim të ngre apologji, as për Marksin dhe as revolucionin e tij për të shtypur masat, por trumbeton të drejtat e njeriut.
“Nuk është një apologji për Marksin kjo vepër. Diktatura nuk bazohet në thelb mbi një teori filozofike siç është ajo e Marksit. Diktatura bazohet mbi ligësinë dhe nuk ka ndonjë filozofi të jashtëzakonshme”, shprehet ai.
Kjo vepër ka marrë vlerësime edhe nga kritika botërore, duke e cilësuar një kritikë plot fantazi për hipokrizinë dhe padrejtësitë e shoqërisë sonë./abcnews.al/