“Provokacija”/ Prifti i Elbasanit tërbon Serbinë, meshë në Podujevë më 28 nëntor: Tani çelësat i kam unë

schedule11:11 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 11:11 - 1 Dhjetor, 2023

Drejtuesi i Kishës Katakomb Shën Kozmai në Elbasan, at Nikolla Xhufka u shpreh se më 28 nëntor ka bërë një meshë në një kishë Ortodokse shqiptare në Podujevë, e cila ishte uzurpuar sipas tij në mënyrë të padrejtë nga kisha serbe. Ai tha se nga dita e mëshimit dhe lutjeve që janë kryer, ajo kishë është nën administrimin e kishës së Elbasanit.

“Situata është e tillë. Kemi një deklaratë nga Patriarkana Ortodokse e Beogradit, kemi dhe një deklaratë e Dioqezës së Rashkës dhe ajo e Prizrenit. Komuniteti shqiptar në Komunën e Podujevë, ka ruajtur me breza një kishë ortodokse, që ata thonë se ajo është kisha e fundit ortodokse e mbetur shqiptare. Dhe kanë ardhur një përfaqësi e tyre dhe më kanë takuar në Elbasan dhe kanë kërkuar ndihmë e kishës tonë të Elbasanit për ta marrë dhe për ta rikthyer atë kishë në identitet. Ne shkuam atje, e kompletuam kishën me aq mundësi sa kishim me ato ikonat, qirinjtë, kryqin dhe sigurisht edhe flamurin. Mbajtëm një meshë atje, një liturgji hyjnore dhe me vendim të Këshillit të Kishës Ortodokse Shqiptare, kisha është që nga dita e meshimit, pra që nga data 28 nëntor 2023, ajo kishë është nën administrimin e kishës tonë”, tha ai.

Ai tha në Abc e Mëngjesit, se ka pyetur çdo banor të zonës, të cilët sipas at Xhufkës kanë deklaruar se kisha ortodokse është shqiptare dhe nuk ka asnjë lidhje me atë serbe. I pyetur nëse ka marrë ndonjë letër dhe a njihet si prift nga ana e Kosovës, at Xhufka dha këtë përgjigje:

“Banorët thonin ne dikur kemi qenë ortodoksë. Misioni i kishës tonë është të marrim atë që na takon me të drejtë nga Zoti dhe nga populli. Kisha është monument kulture dhe mbrohet nga shteti i Kosovës. Unë nuk po shkoj atje për veten time, unë po shkoj atje për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë kthimin e kishave ortodokse të uzurpuara nga pseudo-kisha serbe. Mjafton vetëm dëshira e mirë. Ne jemi dy priftërinj që shërbejmë atje. Mua rëndësi ka qe më njeh ligji si prift i rregullt, ligji shqiptar dhe ligjit i Kosovës patjetër. Në atë shërbesë nuk ua kam sjell fotot dhe videot për arsye sigurie të disa personave. Në atë ditë, ne kemi mbledhur të gjitha firmat të banorëve të vjetër që janë aty. Kemi shkuar dhe kam takuar personalisht çdo banor dhe i kam pyetur se çfarë kishe është kjo dhe na kanë thënë: Kjo është kishë ortodokse shqiptare dhe nuk është serbe”, shtoi ai.