Protestuesit vendosin kufomat e viktimave para zyrave të OKB-s

schedule18:18 - 11 Prill, 2018

schedule 18:18 - 11 Prill, 2018

Vunë kufomat e të paktën 16 viktimave përpara zyrave të Kombeve të Bashkuara. Këtë veprim bënë një grup protestuesish në Republikën e Afrikës Qendrore.

Ata bënë thirrje për t’i dhënë fund dhunës, duke thënë që kufomat ishin të civilëve të vrarë të martën, gjatë përplasjes me trupave të OKB-s dhe grupeve të armatosura në një lagje të kryeqytetit të vendit, Bangui.

Ndërkohë, misioni i OKB-s në shtetin afrikan nuk i ka komentuar protestat. Sipas BBC, trupat e organizatës filluan një operacion të dielën për të çarmatosur disa grupe rebelësh në një lagje të Banguit.

Një grup milicie myslimanësh është i vendosur atje dhe pretendon se po mbron rezidentët në zonë. Republika e Afrikës Qendrore është përfshirë nga trazirat që në vitin 2013.

Atë vit, në vendin me shumicë kristiane e morën pushtetin rebelët myslimanë. Ndërkohë një grup tjetër, që quheshin anti-balaka, u ngritën për të kundërshtuar ata.

Një qeveri e re u zgjodh në vitin 2016, por ka dështuar që të sjellë paqen në vendin që shquhet për pasuritë e mëdha natyrore. Që nga viti 1960, kur arriti të fitojë pavarësinë nga Franca, Afrika Qendrore ka qenë e paqëndrueshme politikisht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!