Të grumbulluar në bulevardin Dëshmorët e Kombit, protestuesit po tentojnë t’I afrohen godinës së kryeministrisë.
Akte dhune, shkatërrime dhe përplasje të ashpra me policinë. Dita e gjashtë e protestës në Tiranë po shoqërohet me kaos, ndërsa dhuna u shtri nga rrugët e kryeqytetit deri te institucionet dhe qytetarët.
Gjatë protestës, dhuna nuk kurseu as qytetarët. Në sheshin Skënderbej, një qytetar i ardhur nga Korça u dhunua nga disa protestues të tjerë dhe mbeti i gjakosur. Në ndihmë të tij shkuan punonjësit e policisë që ndodheshin në terren.
Përplasjet vijuan edhe përpara Kryeministrisë, ku protestuesit e maskuar shkëputën pllakat e gurit nga rruga dhe i përdorën për të sulmuar efektivët e policisë. Ndonëse gurët e trotuareve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin hequr që në orët e para të ditës për të parandaluar sulmet, kjo nuk i ndali protestuesit.
Më herët, dhuna ishte zhvendosur drejt selisë së Partisë Socialiste, ku një grup protestuesish të maskuar kaluan kordonin e policisë dhe goditën godinën me gurë e sende të forta, duke thyer xhamat.
Protesta fillimisht nisi e qete me grumbullimin e qytetarëve përpara Ministrisë së Arsimit. Vetëm disa orë më vonë, situata u përshkallëzua, me sulmet e para me gurë ndaj forcave të rendit dhe përplasjet që u përhapën në rrugët e kryeqytetit./abcnews.al


