Pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, protestuesit nuk u larguan, por vazhduan të qëndrojnë. Pas thirrjeve të organizatorëve të protestës, ata ndezën dritat e telefonave të tyre duke ndriçuar bulevain “Dëshmorët e Kombit”. Në këtë mënyrë protesta mori një tjetër pamje, ndryshe nga fillimi i saj.
Protesta e sotme e opozitës u shoqërua me tensione që prej fillimit të saj. Disa prej protestuesve hodhën molotov dhe flakadanë drejt Kryeministrisë. Gjithashtu pati përleshje ndaj policisë, ku u shkatërrua edhe kordoni metalik, i vendosur përpara godinës së qeverisë.
Pas këtyre akteve reaguan ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Presidenti Ilir Meta.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministri thotë se demokracia nuk ndërtohet me molotov dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Në reagimin e tij Lleshaj thekson se askush nuk mund ta djegë përsëri Shqipërinë.
Ndërkohë në një njoftim për mediat nga zyra për shtyp e kreut të shtetit, thuhet se “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”./abcnews.al