“Protestë kundër sistemit të drejtësisë, e turpshme”/ Avokati Kara: Berisha meriton të futet në regjimin 41 bis

schedule23:45 - 26 Nëntor, 2024

schedule 23:45 - 26 Nëntor, 2024

Avokati Romeo Kara thotë se opozita nuk po bën mosbindje civile, por një protestë kundër sistemit të drejtësisë, gjë që e cilësoi si të turpshme. I ftuar në ‘Ora e fundit’ me gazetarin Emilian Islami, ai tha:

“Nuk mendoj se këto protesta krijojnë solidarizimin që i duhet popullit ku shpirti i protestës të ketë moral. Të bësh protestë kundër sistemit të drejtësisë është e turpshme. Ne themi shyqyr që kemi një drejtësi që po fillon të japë frytet e saj, disa institucione që po krijojnë besueshmëri. Kjo besueshmëri do të japë ndikimin e vet pozitiv në të gjithë sistemin politik. Në bisedat që kam pasur me ata që janë përballur me drejtësinë, e kanë thënë se kurrë se kanë besuar se do të vijë kjo ditë. Duan të dalin nga politika, të gjejmë forma politike. Këtë moment e kanë thjesht dhe vetëm me sistemin e drejtësisë”, tha avokati.

Sipas tij, Sali Berisha jo vetëm që duhet të arrestohet, por duhet të futet në regjimin 41 bis.

“Ai mendon se është i ri për të ardhur prapë në krye të qeverisë. Për t’u përgjigjur ligjit thotë se ka moshën. Ai theu ligjin, po mbjell protesta nga maja e tarracës. Me burracakëri iu thotë të tjerëve mos u bindni, rrihuni me policët, çorodisni trafikun nëpër Tiranë por vetë nuk zbret të tregojë se si nuk zbatohet ligji. Ky burracak nuk mund të frymëzojë njeri. Kjo është ajo protesta mjerane që përfundoi me turp. Ai meriton për mua 41 bis sepse po i kundërvihet drejtësisë me protesta. Por ai do të jetë aty ku është të justifikojë humbjen, të jetë opozita më e madhe, e di se nuk merr pushtet“, tha avokati./abcnews.al