Disa specialistë të dy Hec-eve në Ulëz dhe Shkopet pretendojnë se janë hequr pa të drejtë nga puna si pasojë e një reforme që ka marrë kompania “Kurum”. Ata dhe familjarë të tyre kanë protestuar për këtë vendim.
Bllokuan hyrjen e Hec-it dhe kërkuan takim me përfaqësues të kompanisë, por askush nuk i priti.
“Zoti Ashmet anuloje reformën. Jam punonjëse prej 32 vite punë dhe jam e penalizuar. I bëj thirrje të anulojë reformën sa më shpejt sepse nuk kemi asnjë të ardhur”, thotë një protestuese.
“Është buka jonë jemi shtresë shumë e varfër. Po dolën nga puna jemi të vdekur”, u shpreh një tjetër.
“Ne jemi një shtresë shumë të varfër kjo është buka jonë. Në do ta vazhdojmë protestën deri në vdekje sepse të mbaruar jemi. Përderisa kemi dalë nga puna të mbaruar jemi”, tha një tjetër protestues.
Për të shmangur ndonjë incident të mundshëm u angazhuan dhe efektivë të komisariatit të Matit dhe Kurbinit.
Punonjësit u mbështetën dhe nga Federata e sindikatave të punonjësve të industrisë, që lajmëruan se shkurtimet e vendeve të punës do vazhdojnë.
“Në këto HEC-e do të shkurtohen rreth 35 persona”, tha ai.
“Jam punonjës në dy HEC-e Ulës dhe Shkopet dhe sekretar i Këshillit Sindikal Ulës –Shkopet. Më kanë kërcënuar me pushim nga puna, por ne do ta vazhdojmë protestën deri sa të anulohet reforma”, u shpreh një nga specialistët.
Specialistët e pushuar nga puna kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve në të kundërt paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë urie.
/abcnews.al/