Franca vijon të mbetet nën shtetrrethim pas protestave të dhunshme që shpërthyen për vrasjen e 17-vjeçarit Nahel nga një oficer policie, teksa qytetet e mëdha hyjnë në natën e pestë të trazirave.
Presidenti Emmanuel Macron siç u njoftua më herët është detyruar të shtyjë vizitën e tij zyrtare në Gjermani dhe të qëndrojë në Paris, ndërkohë që qeveria franceze forcon masat që janë marrë për ti dhënë fund incidenteve.
Një ndër masat e ashpra që janë shtuar në listë është njoftuar nga ministri francez i Drejtësisë Erin Dupont Moretti, i cili ka paralajmëruar prindërit e të miturve se do të dënohen me 2 vite burg dhe 30 mijë euro gjobë nëse fëmijët e tyre arrestohen gjatë incidenteve.
Njoftimet e jashtëzakonshme të ministrit francez të drejtësisë erdhën nën hijen e thirrjeve dramatike të bëra sot në Francë nga kryebashkiakët e Marsejës dhe Lionit, të cilët i kërkuan Macron përforcime policore shtesë, kërkesë të cilën Parisi e plotësoi me urgjencë.
Vlen të theksohet se vala e zemërimit në thelb është shkaktuar nga të rinjtë dhe se nga 1300 arrestimet e bëra të premten, 30% e të arrestuarve ishin të mitur nga 14 deri në 17 vjeç.
Ndërkohë, shumë qytete si Saint-Etienne po shqyrtojnë mundësinë e procedimit të ndalimit të qarkullimit, ndërkohë që mbetet e hapur mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, tezë që gjithnjë e më fuqishëm po shtrohet me ngulm nga një pjesë e botës politike të Francës.
Një gjendje e jashtëzakonshme do t’i lejonte autoriteteve të vendosin masa të veçanta si shtetrrethimi që u vendos në nëntor 2005 pas dhjetë ditë trazirash, edhe asokohe pas vdekjes së dy adoleshentëve që u goditën nga rryma elektrike teksa fshiheshin nga policia.
Gjithsej 1,311 persona u arrestuan mbrëmë në Francë në natën e katërt radhazi të dhunës dhe plaçkitjeve. Ky numër ishte dukshëm më i lartë se arrestimet e 875 personave të njoftuar një natë më parë, sipas ministrisë.