Protestat në Bjellorusi, arrestohen dhjetëra protestues dhe gazetarë

schedule11:44 - 28 Gusht, 2020

schedule 11:44 - 28 Gusht, 2020

Policia bjelloruse ka arrestuar dhjetëra protestues dhe gazetarë që punojnë për mediat vendase dhe të huaja në kryeqytetin, Minsk. Gjithsej 16 gazetarë u arrestuan në Sheshin Qendror të Lirisë në mbrëmjen e 27 gushtit, sipas qendrës së të drejtave të njeriut Vyasna, pasi ata përgatiteshin për të mbuluar një demonstratë në të cilën bëhej thirrje për dorëheqjen e presidentit Alyaksandr Lukashenka.

Pas ndalimeve, qindra protestues antiqeveritarë u mblodhën në shesh para se të marshonin drejt Sheshit të Pavarësisë. Policia shpërndau një turmë prej rreth 1.000 demonstrues dhe arrestoi 189 njerëz, sipas njoftimit të organizatës joqeveritare Vyasna.

Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar reagimin e Minsk-it në protestat që kanë përfshirë vendin pas zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se Kremlini është më “neutral” për krizën në Bjellorusi, sesa Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Europian.

Putin tha se një kontingjent i forcave të sigurisë ruse është i përgatitur për t’u vendosur në Bjellorusi në rast të përshkallëzimit nga demonstruesit që pretendojnë se votimet ishin të manipuluara në favor të Lukashenkas.

Bashkimi Europian ka thënë se nuk e njeh rezultatin zgjedhor. Vala e zemërimit në Bjellorusi filloi kur Komisioni Qendror Zgjedhor deklaroi se Lukashenka, që është në pushtet që nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, ndërsa kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya fitoi 10.12 për qind.

Tikhanovskaya,  është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, duke deklaruar se nëse votat do të numëroheshin siç duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

Zgjedhjet u zhvilluan më 9 gusht./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!