Protestat e studentëve, Tarifa: Lëvizja ka rënë, Shqipëria humbet 2 mundësi

schedule20:47 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 20:47 - 21 Dhjetor, 2018

Lëvizja e studentëve është në qendër të diskutimeve për më shumë se dy javë. Rektori i Universitetit të New York-ut, Fatos Tarifa, u shpreh në emisionin “Provokacija” se protestat u pritën shumë mirë nga qytetarët, por lëvizja ka rënë. Sipas tij, Shqipëria humbet dy mundësi nëse shuhet protesta.

“Lëvizja e tyre, e cila u prit shumë mirë nga masa dërrmuese e qytetarëve të këtij vendi, ka rënë. Dhe me këtë unë them se po humbasim dy mundësi. E para e qeverisë, kryeministrit për të bërë mirë në një moment shumë interesant të zhvillimit tonë shoqëror dhe arsimor dhe vetë studentët kanë humbur një shans shumë të madh për të sjellë ndryshim”, u shpreh Tarifa.

Sipas Rektorit, Kryeministri Edi Rama duhet të pranojë kërkesat e studentëve siç janë dhe më pas të ulet me studentët për zgjidhjen e tyre.

“Problemi është që ka 17 ditë dhe për shkak të rolit që ndjej si një intelektual publik i kam dhënë një këshillë modeste që t’i pranojë kërkesat siç janë dhe pastaj të ulet me studentët se si ato mund të zgjidhen. Kurse të kërkosh të ulesh dhe pastaj të zgjidhësh problemet më duket jo mënyrë e drejtë duke marrë parasysh sa të axhetuar janë studentët dhe sa e kanë humbur besimin tek fjala e kryeministrit. Nëse studentët përsërisin gjithmonë nuk duam monolog, duam dialog, kjo duhet dëgjuar prej tyre”, tha Fatos Tarifa.

Intelektuali shqiptar nuk është kundër kërkesës që studentët të kenë më shumë zë në universitete. Megjithatë kërkesa për një përfaqësi prej 50% e studentëve në Bordin e Administrimit është e tepruar.

“Deri diku po. Studentët duhet të jenë të informuar në mënyrë krejt transparente për fondet e universiteteve, ç’ka sot e bëjnë bordet e administrimit. Duke qenë se janë kalimtarë, pra 3 vjet deri në katër, fjala e tyre nuk duhet të jetë deçizive. Botën akademike e drejton universiteti ama pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme. Pastaj raporti 20%, 30% mund të diskutohet. 50 mua më duket shumë, por që studentët duhen dëgjuar pasi në fund të fundit janë ata që paguajnë pagat e pedagogëve”, theksoi Rektori.

Në lëvizjen e studentëve është hedhur dhe ideja e arsimit të lartë falas. Por Fatos Tarifa nuk është i këtij mendimi. Sipas tij situata ka agravuar deri në këtë nivel për shkak të masivisimit të universitetit nga qeveria e kaluar.

“Nuk jam për një universitet tërësisht falas sepse nuk bëhet fjalë për arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar që është një e drejtë humane e çdo njeriu. Në universitet nuk shkojnë domosdoshmërisht të gjithë. Unë mendoj se një pikë që kemi ardhur deri këtu është dhe masivizimi në këtë masë nga qeveria e kaluar, e cila i shqeu dyert. Kushdo mund të vinte, nuk kishte mesatare dhe krijoi një gjendje të tillë që Kryeministri e quan bombë demografike, por që vërtetë është e tillë. Ne po prodhojmë sot studentë të papunësueshëm në një ekonomi që nuk ka mundësi t’i punësojë”, u shpreh ai.

Përsa i përket buxhetit për arsimin Tarifa tha se, “në këtë vend ka para që nëse drejtohen siç duhen mund t’i shërbejnë arsimit të lartë. Arsimi i lartë dhe përgjithësisht arsimi është e ardhmja e një vendi”.

Një çështje tjetër e ngritur nga studentët është edhe Vettingu akademik. Për Tarifën kjo është shumë e vështirë për t’u bërë.

“Është e vështirë të bëhet. Çdo njeri të marrë sipas meritës se çfarë i takon, problemi është si mund të bëhet kjo punë sepse nuk është si Vettingu i gjyqtarëve. Kush do vendoset? Edhe ajo është një proces shumë i gjatë, shumë i dhimbshëm dhe nuk e di ç’dobi do të ketë. Për këtë brez studentash jo e jo njëherë sepse do të marrë kohë. Problemi është sa i besueshëm do jetë procesi dhe sa kohë do të marrë. Ndoshta shpenzimet për një proces të tillë mund t’i kalonte vetë shpenzimet të universiteteve publike”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!