Të paktën 141 shkolla të mesme vijojnë të jenë të mbyllura në Francë, mes protestave të nxënësve që kërkojnë përmirësimin e kushteve të mësimit dhe rinovimin e ndërtesave shkollore. Qeveria franceze ka njoftuar rekrutimin emergjent të 3,000 mësuesve zëvendësues, por sindikatat e kanë cilësuar këtë masë si të pamjaftueshme.
Sipas Ministrisë Franceze të Arsimit, 141 nga rreth 3,700 shkolla të mesme në vend mbeten të mbyllura, krahasuar me 157 një ditë më parë. Kjo do të thotë se më shumë se 96% e institucioneve janë funksionale.
Protestat nisën më 17 shtator dhe në disa raste janë shoqëruar me incidente të dhunshme. Në fillim të kësaj jave u mbyllën rreth 600 shkolla, ndërsa të premten e kaluar numri kishte arritur në 800.
Colère lycéenne: le coût des dégâts en marge du mouvement évalué à “au moins 30 millions d’euros” https://t.co/3fMBo9PQDR
— BFM (@BFMTV) October 9, 2026
Një burim qeveritar francez ka vënë në dukje se lëvizja protestuese po humbet intensitetin, megjithëse situata ndryshon nga një zonë në tjetrën, në varësi të problemeve lokale dhe ndikimit politik.
Pavarësisht masave të qeverisë, organizatat studentore dhe sindikatat profesionale kanë bërë thirrje për një tjetër ditë protestash dhe greve kombëtare të martën, më 13 tetor.
Kërkesat kryesore lidhen me përmirësimin e kushteve të mësimdhënies, rinovimin e godinave shkollore dhe plotësimin e vendeve vakante me mësues.
Pas një dite tjetër protestash mbarëkombëtare, pjesëmarrja u vlerësua disi më e ulët se në tubimet e mëparshme. Megjithatë, organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit përpara pushimeve shkollore, të planifikuara nga 17 tetori deri më 1 nëntor.


