Protesta të dhunshme në Rripin e Gazës, vriten katër palestinezë

schedule11:08 - 16 Dhjetor, 2017

schedule 11:08 - 16 Dhjetor, 2017

Ka shkuar në katër bilanci i viktimave në rradhët e palestinezëve si pasojë e protestave të së premtes ku mbetën të plagosur më shumë se 200 persona. Shtëpia e bardhë pritet të shpallë murin e lotëve pjesë të Izraelit.

Ka shpërthyer në dhunë e premtja e dytë e protestave pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Në rripin e Gazës në kufi me Izraelin dhe në Cisjordani katër palestinezë u vranë dhe më shumë se 200 të tjerë mbetën të plagosur. Situata mund të përkeqësohet dhe më shumë pasi burime nga Shtëpia e Bardhë bëjnë të ditur se shumë shpejt Uashingtoni do të shpallë murin e lotëve pjesë të Izraelit.

Gjatë gjithë të premtes policia dhe protestuesit janë përplasur në zona të ndryshme të territoreve të pushtuara. Një agjent policie I ushtrisë izraelite u plagos me thikë në Ramallah, një nga zonat më të nxehta të konfliktit. Autori I plagosjes u ekzekutua menjeherë nga forcat e policisë pasi dyshohej se mbante një rrip me eksploziv.

Dy protestues, njëri prej të cilëve në karrige me rrota u vranë përgjatë Rripit të Gazës, ndërsa një i tretë u vra në Cisjordani.

Sipas burimeve lokale më shumë se një million persona protestuan në Cisjordani dhe rripin e Gazes. Gjatë protestës është kërkuar që manifestuesit të mblidhen cdo të premte. Protestuesit u drejtuan tek barrierat e demarkacionit me izraelin ku dhe filluan përleshjet me ushtrinë e shtetit hebre.

Në një situatë që tashmë është jashtë kontrollit. Shtëpia e Bardhë dërgon një sinjal të parë për të lënë të kuptohet se shtetet e bashkuara të amerikës e shohin murin e lotëve si pjesë të Izraelit. Ose që do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje që nuk përfshin dhe murin e lotëve. Cështja është shumë delicate sepse muri është përtej kufijve të Izraelit dhe është në një zonë ku ndodhen disa nga vendet më të shenjta për Islamin./abcnews.al