Protesta të dhunshme në Mirditë, banorët kundër ndërtimit të Hec-it

schedule15:33 - 5 Nëntor, 2019

schedule 15:33 - 5 Nëntor, 2019

Në Kacinar të Mirditës, banorët kanë vijuar bllokadën ndaj punimeve për ndërtimin e Hec-it në këtë zonë. Ata janë bërë shkak për të mos penguar dërgimin e tubacioneve në destinacion duke u bllokuar rrugën mjeteve.

Një grup personash vendosën pritë në hyrje të rrugës drejt Hec-it duke detyruar drejtuesit e mjeteve që të kthehen pas. Nuk kanë munguar edhe kërcënimet ndaj drejtuesve të mjeteve që janë gjendur papritur në këtë situatë.

Për ngjarjen është lajmëruar edhe policia e Mirditës. Këta të fundit kanë shoqëruar për të marrë në pyetje 3 persona që ishin pjesë e grupit që bllokoi ditën e sotme lëvizjen e mjeteve.

Pas marrjes në pyetje, policia ka lënë të lirë Anton Kolën, Florin Gjokën dhe Gjovalin Lleshin ndërsa bëhet e ditur se vijojnë hetimet për këtë incident. Banorët e Kaçinarit vazhdojnë protestat e tyre për të penguar vazhdimin e punimeve për ndërtimin e Hec-it në këtë zonë, ndërsa nuk kanë munguar edhe aktet e dhunës.

Dy roje të firmës që po kryenin punimet u dhunuan nga persona ende të paidentifikuar dhe 4 mjete të saj u dogjën, ndërsa për ngjarjen nuk ka asnjë person të ndaluar.

Protestat nisën në maj të këtij viti dhe kanë vijuar pa ndërprerje, ndërsa banorët kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të mos lejuar ndërtimin e këtij Hec-i, duke përmendur edhe kërcënime nëse do të vazhdohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!