Lirohen tre protestuesit, policia jep detaje: Njëri prej tyre ishte veshur me uniformë policie

schedule19:33 - 11 Shkurt, 2023

schedule 19:33 - 11 Shkurt, 2023

Janë liruar tre protestuesit që u shoqëruan në polici gjatë protestës së sotme të opozitës. Një 21 vjeçar nga Durrësi po hetohet për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” pasi ai kishte veshur uniformë policie me logo dhe stema të vjetra.

Pasi është ndaluar, ai ka paraqitur dokumente policore të vjetra. Ndërkaq, në gjendje të lirë po procedohen edhe dy protestuesit e tjerë për për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”, ka njoftuar policia.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit të ditës së sotme, shërbimet e Policisë kanë vijuar monitorimet në terren, për mbarëvajtjen e tubimit dhe për evidentimin e çdo paligjshmërie.

Gjatë monitorimeve, rreth orës 12:15, në afërsi të dy kullave, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas të veshur me uniformë policie me logo e stema të vjetra, e cila nuk përdoret aktualisht nga shërbimet e Policisë.

Në momentin e ndalimit për verifikim nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument të vjetër Policie, të dyshuar të falsifikuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, shtetasin G. H., 21 vjeç, banues në Durrës, dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u procedua penalisht, në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, janë shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit G. A., 30 vjeç dhe E. Gj., 45 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Vijon puna për evidentimin e personave të tjerë që kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!