Për deputeten e tërhequr të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, protesta e së martës përpara parlamentit, ishte spontane. Sipas saj, qytetarët u prekën dhe u shtynë nga policia, e cila filloi të hidhte gaz lotsjellës.
“Dje qytetarët, çdo reagim që kishin e kishin spontan. Nuk kishte asgjë të organizuar. Njerëzit ishin me duar në xhepa dhe nuk kishin qëllim të sulmonin policinë. Nga ana tjetër kishim policinë që në mënyrë të përsëritur hodhi gaz lotsjellës. Qytetarët u prekën, filluan të shtyheshin nga policia, dhe aty filluan të hidhej gaz lotsjellës. Nxënësit e shkollës pedagogjike dolën nga mësimi prej gazit. Atje nuk ka asnjë gjë për të mbrojtur, sepse parlamenti është komunist se e ka një parti”, tha Tabaku në emisionin “Byro Politike”.
Përsa i përket tentativës së protestuesve për të ndaluar deputetët e mazhorancës të hynin në parlament, ajo tha se askush nuk kishte ndërmend të sulmonte përfaqësuesit e popullit, por sipas saj, parlamenti nuk duhej të ishte mbledhur.
“Unë po të kisha qenë do i kisha kërkuar njerëzve të ruanin qetësinë, por të konfirmoj që askush nuk kishte ndërmend të sulmonte përfaqësues të popullit. Ata nuk vijnë nga vota demokratike. Parlamenti nuk duhet të ishte mbledhur. Edhe kolegët nuk duhet të kishin shkuar. Ne nuk kishim për qëllim të pengonim aspak deputetët. Kryeministri u bë e disata herë që i shmanget protestës. Drejtuesit e opozitës kanë qenë në ballë të protestës, për të siguruar që çdo gjë të shkojë mirë. Nuk kishte akte dhune. Kam ndihmuar disa zonja që ndiheshin keq në ato momente, por pamjet që pamë kur policia hidhet gaz ndaj njerëzve të thjeshtë të paarmatosur nuk janë pamjet e një Shqipërie për t’u anëtarësuar në BE”, tha Jorida Tabaku./abcnews.al