Protesta, nga Europa në SHBA pasqyrohen zhvillimet në Shqipëri

schedule12:21 - 12 Maj, 2019

schedule 12:21 - 12 Maj, 2019

Media të shumta ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje protestës së mbajtur të shtunën në Tiranë. BBC, “Reuters”, Washington Post dhe agjenci të tjera lajmesh kanë folur për aktet e dhunës të regjistruara gjatë manifestimeve në kryeqytet.

Mediat e huaja më prestigjioze kanë raportuar gjerësisht mbi protestën e së shtunës të opozitës në Tiranë, duke e vënë theksin tek aktet e dhunës të verifikuara gjatë kësaj.

BBC e ka hapur lajmin me titullin “Bomba me benzinë ndaj zyrës së kryeministrit” dhe më pas ka sqaruar motivet e protestës, duke iu referuar akuzave të cilat opozita ia atribuon kryeministrit Rama për korrupsion dhe vjedhje votash.

“Lideri i opozitës Lulzim Basha i bëri thirrje turmës që të vijojë protestat derisa Rama të japë dorëheqjen”, ka shkruar BBC.

Edhe agjencia e lajmeve “Reuters” në raportimin e saj është fokusuar tek dhuna.

“Disa protestues, përfshirë një grup njerëzish me fytyra të maskuara, hodhën bomba me benzinë, shashka dhe bojë ndaj hyrjes së Kryeministrisë dhe më pas ndaj Parlamentit”, ka shkruar Reuters.

Agjencia prestigjioze ka nënvizuar gjithashtu se, policë dhe protestues të shumtë mbetën të plagosur. Në Shtetet e Bashkuara, mes mediave që i kanë kushtuar vëmendje episodeve të së shtunës spikat “Washington Post”.

“Protestuesit e opozitës përleshen me policinë në protestën kundër qeverisë”, është titulli që i ka kushtuar gazeta e njohur zhvillimeve në Tiranë. Krahas bombave molotov dhe shashkave, e përditshmja shkruan edhe për përdorimin e gazit lotsjellës nga ana e policisë.

Në Europë mediat që e kanë pasqyruar më gjerësisht kanë qenë “Deutsche Welle”, që ka folur për motivet e protestës: akuzat për korrupsion dhe vjedhje të votave nga ana e opozitës ndaj kryeministrit; si dhe agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, që i ka kushtuar titullin “Opozita në shesh, incidente në Tiranë”, policia shpërndan manifestuesit me gaz lotsjellës pas përdorimit të bombave molotov, shashkave dhe qeseve me bojë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!