Alban Hoxhaj është një prej të lënduarve në protestën e zhvilluar në PD. Ai ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur me të ditën e sotme kur u plagos në kokë në momentin kur po ecte në trotuar.
“Jam Alban Hoxhaj, sot kam marrë pjesë në një protestë për të vajtur te PD, te shtëpia jonë. Unë kam 30 vite që jam anëtar i PD-së, kam kontribuar për PD-në dhe nuk e kam parë asnjëherë individin. Unë i kam shërbyer PD-së. Nuk kam asgjë as me Lulin dhe as me Saliun. Vajtëm në shtëpinë tonë. Jam i zhgënjyer aq shumë sa që… Më vjen keq të ndodhë kjo në PD. Unë me vete kam pasur vetëm një çadër dhe u përballëm me dhunën me gaz lotsjellë dhe me të gjitha.
Na poshtëruan dhe na nxorrën jashtë PD-së. Në moment kur ne kishim dalë dhe rrinim në trotuar, mua më vjen një predhë nga forcat speciale që më hodhi përtokë. Mirë që qëlloi ambulanca aty dhe vajta në Spitalin ushtarak. Dhashe dhe një deklaratë. Pastaj më insistuan që të më nxirrinin, por unë nuk kam qenë mirë. Doktoresha tha që duhet të dalësh. I thashë policëve ku do të më çoni? Unë i thashë nuk jam në gjendje. A nuk ka një laptop policia që të më marrë këtu deklaramini, por më thanë jo duhet të vish. Më çuan te drejtoria e policisë dhe më thanë për gjys ore do mbarosh punë. Prit se do vinin të më merrninin deklaratën, nuk vinin. Ju kam thënë ore jam sëmurë nuk duroj dot, kam 6 qepje. Jam me mjekime. Më lini i thashë në një dhomë tjetër.
Më morën që aty, më futën në furgon, biles kam qenë me Stresin, më vunë prangat. Më solën te 1-shi. Na kanë futur në birucë 20-30 veta aty. Gjaku më rridhte, biles Stresi më ka mjekuar. Kam qëndruar në këmbë dhe nuk donte ta dinte kush. I kam thënë ore duhet të më kërkoni falje se më goditët me predhë. Në momentin e goditjes kam qenë jashtë selisë së PD-së. Ka qenë si tip karabinë që më qëlloi. Policin e njoh se vetëm ai kishte atë tip arme”, u shpreh kryetari i grupseksionit nr.8 të Partisë Demokratike.