Policia e Tiranë ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmë para Kryeministrisë. Gjatë tubimit të zhvilluar dje janë identifikuar 11 shtetas, ndërsa 4 prej tyre janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë proceduar. Në protestë u hodhën molotovë, gjithashtu protestuesit kundërshtuan punonjësit e policisë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ervin Minarolli, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

