Partia Socialiste ka reaguar pasi opozita njoftoi se protesta e radhës do të jetë më 6 dhjetor. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla shprehet se më këtë akt, kryedemokrati Sali Berisha theu çdo normë, kanun e kode shqiptari.
Sipas Ballës, Berisha e ka thirrur protestën kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor, dhe i “ka thirrur njerëzit e tij që të turpërojnë Shqipërinë.”
TAULANT BALLA NË FACEBOOK
“TURPI I SHQIPËRISË KA EMËR!
Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Këtë rregull kurrë nuk e ka shkel kush në Shqipëri. Ne kemi shkruar historinë tonë me kodin tonë të mikpritjes.
Por tradhëtari dhe turpi i çdo vlere shqiptare Sali Berisha do të presë në besë shqiptarët më datë 6 Dhjetor 2022, duke thyer çdo normë, me kanun e kode shqiptari. Nuk e ka herën e parë që e bën.
Sali Berisha thërret protestë kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor, thërret njerëzit e tij të turpërojnë Shqipërinë.
Sali Berisha thërret protestë në ditën e dasmës më të bukur të ribashkimit me Europën.
A ka ndokush më pikëpyetje për kë punon Sali Berisha?
O vëllezër e motra ky tradhëtar ka thirrë protestë kundër Bashkimit Europian. Ky tradhtar po i shërben lojës së Vladimir Putinit kundër Bashkimit Europian.”
Kujtojmë se kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se protesta e radhës do të mbahet më 6 dhjetor. Sipas ish-kryeministrit, kjo është data që “populli opozitar duhet të tregojë zërin para Bashkimit Europian”, për të mbrojtur sipas tij pluralizmin. /abcnews.al/
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!