Protesta, mbyllen qepenat në disa qytete të vendit

schedule18:59 - 10 Prill, 2018

schedule 18:59 - 10 Prill, 2018

Përveç bizneseve tek tregu industrial pranë medresesë në Tiranë, në shenjë proteste kundër deklarimit të TVSH qepenat u ulën edhe nga biznese të ndryshme tek i ashtuquajturi tregu “Çam” apo tek tregu elektrik në zonën Ali Demi.

Tregtarët thanë se fuqia blerëse ka rënë dhe se fitimet e tyre janë minimale. Detyrimin për të deklaruar TVSH-në, të vendosur që nga 1 Prilli, ata e shohin si rrugën drejt falimentimit. Protestës iu bashkuan edhe dyqane të tjera në rrugën e Durrësit apo në rrugën e Kavajës.

Edhe në disa qytete të vendit, një pjesë e bizneseve ulen qepenat për një orë në mesditë, për të kundërshtuar vendosjen e detyrimit për deklarimin e TVSH-së.

Po nuk ishte e njëjta situatë kudo. Bizneset e vogla protestuan në Korçë, Shkodër, Fier e Berat. Kurse në Vlorë, Gjirokastër, Lezhë e Lushnje, tregtarët thanë se nuk kanë patur informacion për një protestë të tillë dhe kanë vazhduar të punojnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!