Deputeti socialist, Erion Malaj thotë se PD nuk mund të flasë në emër të protestuesve, teksa opozita po përpiqet ta përdorë atë.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Malaj u shpreh se në protestë ka qytetarë të ndershëm, por edhe njerëz që duan destabilitet.
Malaj shtoi se qeveria duhet të dëgjojë kërkesat legjitime të qytetarëve.
“Kemi qenë të qartë, në mes diskutimit që mund të kenë protestuesit me ne, nuk mund të jetë PD ose opozita. PD ka qenë fillimisht një nga ato që nuk e kanë pranuar këtë protestë. Kur panë një mundësi për të fituar vota, filluan të flisnin në emër të protestës. Mesa duket, qëllimi i tyre është ta marrin këtë protestë. Protesta ka në vetvete, qytetarë që janë në të drejtën e tyre për të protestuar, por ka edhe oportunistë që duan të përfitojnë. Janë përpjekur, qoftë në sheshe apo në luftë digjitale, të nxjerrin narrative publike. Ne kemi detyrë që qytetarëve t’u përcjellim faktet, të luftojmë narrativat jo reale. Beteja politike sot zhvillohet edhe në hapësirën digjitale.
Të mos lejojmë që narrativa publike të dominohet nga të pavërtetat. Vëmendja e qeverisë është të dëgjojë kërkesat legjitime të qytetarëve. Nëse shihni, kemi një grup koordinues, që kanë dalë me disa pika të panegociueshme, nuk është parë në ndonjë vend të botës. Ky i ashtuquajtur grup nuk pranon negociata. Kemi detyrë të dëgjojmë kërkesat legjitime të qytetarëve. Qytetarët meritojnë transparencë. Protesta, fatkeqësisht ka dalë nga origjina e protestës, që ishte reagim i drejtë qytetar për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi”, theksoi ai./abcnews.al



