Protesta e studentes në Milano, fle në një çadër për t’i dhënë fund qirave të shtrenjta

schedule10:19 - 4 Maj, 2023

schedule 10:19 - 4 Maj, 2023

Studentja 23-vjeçare Ilaria Lamera u bë simbol në luftën kundër qirave të shtrenjta për studentët në Milano nga e marta e 2 majit.

Me origjinë nga Bergamo, studentja e re studion për Inxhinieri Mjedisi në Politeknikun e Milanos. Ilaria është në vitin e katërt, por vitet e mëparshme, për shkak të pandemisë, ajo i ndiqte mësimet kryesisht online.

Por, tani që vendosi të transferohej në Milano për të vazhduar studimet u gjend përballë një pengese të madhe. Ajo nuk mund të gjente shtëpi me qira me një çmim të arsyeshëm, pasi i kërkonin 600 euro në muaj për një dhomë.

Qiratë e shtrenjta nuk janë të panjohura për Milanon, por 23-vjeçarja Ilaria duket e vendosur të bëjë “betejën” e saj për të ndërgjegjësuar autoritetet e metropolit italian dhe për të zgjidhur problemin e strehimit për mijëra studentë.

Të martën, më 2 maj, Ilaria ngriti një tendë jashtë Universitetit Politeknik të Milanos në Piazza Leonardo Da Vinci dhe deklaroi se deri të dielën e 7 majit do të flinte brenda çadrës në shenjë proteste ndaj jetës së vështirë të studentëve në qytet.

Në krah të Ilaria Lamerës që në momentin e parë kanë qenë shumë student.

“Për vite me radhë, kostot e qirasë në Milano kanë qenë të papërballueshme. Të jetosh në Milano do të thotë që duhet të paguash 600 euro (përjashtuar faturat e energjisë elektrike, ujit etj.) për një dhomë të vogël që përshtatet vetëm për një person.

Edhe pse situata dihet dhe institucionet janë në dijeni të saj, ende nuk është marrë asnjë masë për ta bërë më të përballueshëm akomodimin në Milano”, tha ajo.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!