Protesta e pedagogëve, pezullohet bojkoti, rinis procesi mësimor

schedule19:06 - 6 Nëntor, 2022

schedule 19:06 - 6 Nëntor, 2022

Pas disa javësh protesta, pedagogët e universiteteve publike kanë vendosur të ndërpresin bojkotin e mësimit.

Përmes një deklarate ata bëjnë të ditur se do të kthehen në auditorët e fakulteteve, por nuk do të ndërpresin protestat deri në plotësimin e kërkesave që i kanë parashtruar qeverisë.

Të martën njoftojnë se do të mblidhen sërish në një protestë kombëtare para universitetit politeknik në Tiranë.

Në deklaratën e sindikatës së punonjësve të universiteteve thuhet se të gjitha llojet e protestave me forma demokratike dhe institucionale, përfshirë edhe grevat, do të vazhdojnë të mbeten mjete të reagimit të tyre për realizimin e kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë.

Mes tyre me kryesorja mbetet ajo e rritjes së pagës me 50%.

Fragment  nga deklarata

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;
2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;
3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!
4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.
Gadishmëria e Organeve Drejtuese të Universiteteve për të kontribuar pjesërisht në përmbushjen e kërkesave të paraqitura: – ‘me rritje modeste të fondit të pagave’, dhe kjo, vetëm për stafin akademik, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me rritjen e pagave për stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, na prezanton një tjetër problematikë në Institucionet e Arsimit të

Lartë: – Nevojën për transparencë mbi veprimtarinë tërësore financiare të tyre.
Besojmë në mbështetjen e çdo anëtari të stafit akademik, për të realizuar procesin e vlerësimit të pastërtisë dhe integritetit profesional të titullarëve të universiteteve dhe të personelit universitar në tërësi, si mundësia e vetme për të demonstruar akademizëm dhe seriozitet prej gjithkujt, që merret me ofrimin e shërbimit më fisnik të një kombi, sikundër është edukimi.
Kapitali më i çmuar i një vendi është kapitali njerëzor.

/abcnews.al./

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!