Protesta e opozitës, 42 të arrestuar, 10 shpallen në kërkim

schedule10:25 - 3 Qershor, 2019

schedule 10:25 - 3 Qershor, 2019

Policia ka arrestuar 42 protestues të opozitës, pas tubimit të dhunshëm mbrëmjen e djeshme, që zgjati tre orë. Në drejtim të uniformave blu tek Parlamenti dhe Kryeministria u hodhën kapsolla dhe lëndë piroteknike, duke lënë të lënduar shumë e policë dhe disa protestues.

Protesta e 7 kombëtare e opozitës u shoqërua me dhunë dhe tensione ndërmjet manifestuesve dhe punonjësve të policisë.

Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, janë proceduar në total 60 persona, ku 42 prej tyre u arrestuan në kushtet e flagrancës, 17 qytetarë do të ndiqen në gjendje të lirë. 60 procedimet kanë nisur bazuar në prova, pamje filmike apo dhe raportet  e shërbimit të policisë. Mbi 60 personat e proceduar janë ngritur akuzat për;

“Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”,

“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”,

“Goditje për shkak të detyrës”,

“Prishje e qetësisë publike”,

”Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Edhe ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi ka filluar një tjetër procedim penal për organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme, ndërkohë, 10 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Verifikimet janë kryer nga të gjitha komisariatet e Tiranës gjithashtu edhe nga policitë në rrethe. Sipas uniformave blu, veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raporte te shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Përveç numrit të lartë të të arrestuarve, i lartë është edhe numri i punonjësve të policisë që mbetën të lënduar nga lëndët piroteknike që u hodhën në drejtim të tyre nga protestuesit e opozitës.

Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia, debatoi me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, në spitalin e Traumës ku u mjekuan 10 efektivë dhe 3 protestues që mbetën të lënduar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!