Arrestime në mes të turmës me çanta të mbushura me molotovë, militantët e Partisë Demokratike, ndryshe nga herët e tjera, u kapën në befasi pa hedhur molotovët drejt kryeministrisë.
11 militantë të grupit të zjarrit u arrestuan nga policia, 6 prej tyre në flagrancë ndërsa disa të tjerë me çantat të mbushura me molotovë ndërsa i drejtoheshin Kuvendit për sulmin e radhës.
Të arrestuarit:
-Klemend Çuçka (kapur në flagrancë me molotovë)
-Bujar Tusha (kapur në flagrancë me molotovë)
-Henri Shapllo (kapur në flagrancë me molotovë)
-Mirvet Toçilla (kapur në flagrancë me molotovë)
-Igball Domi (kapur në flagrancë me molotovë)
-Semi Bici (kapur në flagrancë me molotovë)
-Bardhyl Ndou
-Gentjan Tuga
-Edison Shyti
-Sokol Bajraktari
-Ernest Kapo
Me drejtorin e ri të Policisë, Skënder Hitaj, edhe strategjia ishte e re. Blutë e Tiranës në protestën e të premtes nuk formuan gardhin klasik para kryeministrisë. Me më pak forca policie para godinës së qeverisë, kurse shumë të tjerë në prapaskenë, gati për arrestime.
Militantët pritën sinjalin nga Berisha për të nisur me sulmin klasik, por në sekondë policia hapi gardhin metalik dhe neutralizoi sulmin me molotov e fishekzjarre të grupit të maskuar të zjarrit.
Mbi të arrestuarit rëndojnë veprat penale si “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Në 7 protestat kombëtare të organizuara nga dhjetori deri në prill janë arrestuar 91 militantë, megjithatë 80 prej tyre janë liruar nga gjykata ndërsa me 11 arrestimet në flagrancë duket se gjykata nuk do ta ketë të lehtë lirimin e tyre. Përsëritësit e veprave penale prej muajsh lirohen nga Gjykata e Tiranës për të hedhur sërish molotovë që rrezikojnë jetën e efektivëve që lëndohen në çdo tubim.
Provat tani janë 45 molotovët e kapur pa shpërthyer, në çantat e grupit të zjarrit, kurse organizatorët të cilët udhëheqin të miturit për të hedhur molotov, vetëm procedohen pas çdo proteste.
Vetëm në protestën e të premtes, 5 efektivë policie u lënduan dhe morën ndihmë në spitalin e Traumës, me plagë nga molotovët./abcnews.al



